Sqarohet Osmani: Kontrata me Walkerin nuk është shkëputur por skadon këtë muaj

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook ka sqaruar shfuqizimin e kontratës në mes të Zyrës së Presidentit dhe ambasadorit William Walker.

Osmani ka thënë se kontrata nuk është shkëputur, por do të skadojë në këtë muaj. Sipas saj, Presidenca është njoftuar nga fondacioni se William Walker nuk përfiton asnjë cent nga kjo kontratë.
Ky është reagimi i saj në Facebook:

E pabesueshme se deri në çfarë niveli të ulët shkojnë dezinformatat lidhur me ngjarje publike në vendin tonë. Për shembull, sot thuhet se unë kam “shkëputur kontratën me z. William Walker”. E vërteta është se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj, sipas afateve të parapara në vetë këtë kontratë. Poashtu nuk ka pasur asnjëherë kontratë me personalisht z. William Walker. Ka pasur një kontratë me fondacionin e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv z. Hasan Salihu, i cili mbanë emrin Fondacioni Walker. Presidenca është njoftuar nga Fondacioni, në një takim zyrtar në presidencë më 17.11.2020, që asnjë cent nga kjo pagesë nuk i dërgohet personalisht z. William Walker.

Në njoftimin zyrtar, dërguar këtij fondacioni, me datën 1 dhjetor, Presidenca ka shprehur gatishmërinë që të mbetet në kontakt me z. Walker personalisht dhe citoj: “PËR TË PARË MUNDËSINË E BASHKËPUNIMIT EDHE MË KONKRET DHE MË TË AFËRT”. Z.Salihu asnjëherë nuk është përgjigjur në këtë gatishmëri tonën. Poashtu, me qëllim që të shohim mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, ne kemi kërkuar raportet e punës për periudhën e deritanishme për të kuptuar natyrën e shërbimeve të ofruara. ASNJË RAPORT NUK ËSHTË DORËZUAR dhe asnjë dokument pune lidhur me këtë kontratë nuk është gjendur në Presidencë. Ne kemi kërkuar raporte pune në veçanti për muajt nëntor e dhjetor, ashtu siç parashihet në nenin 6 të kontratës, por asgjë nuk është dërguar deri më tani.

Çdo mik i Kosovës do t’i ketë përherë dyert e hapura në institucionet tona, prandaj edhe siç kemi ofruar bashkëpunim deri tani do ta ofrojmë edhe tash e tutje. Ndërkaq çdo mënyrë e angazhimit do të bëhet vetëm e vetëm në përputhje me ligjin.
Të gjitha mediat që kanë shpifur, do të paditen!