Disa organizata, përfshirë Student Solidarity dhe Unionin Hebre Francez për Paqe, kanë paraqitur padi në një gjykatë administrative franceze, duke kundërshtuar lidhjet mes universiteteve franceze, dy ministrive dhe institucioneve akademike izraelite, transmeton Anadolu.
Grupet thanë se kërkojnë “zbulimin, rivlerësimin dhe ndërprerjen e lidhjeve mes universiteteve franceze dhe izraelite, për shkak të pjesëmarrjes aktive të këtyre të fundit në shkelje të përsëritura dhe të hapura të së drejtës ndërkombëtare nga shteti izraelit”.
Universitetet franceze të përmendura përfshijnë Sciences Po Paris, Universitetin e Sorbonës, Universitetin Aix-Marseille, Universitetin e Strasburgut, Universitetin e Grenoblës dhe të tjera.
Në padi përfshihen gjithashtu Ministria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit e Francës dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Në një kohë të përshkallëzimit të dhunës në mbarë botën, universitetet kanë një detyrë etike për të dhënë shembull dhe për të respektuar në mënyrë rigoroze të drejtën ndërkombëtare”, theksuan grupet.
Në vitin 2025, Universiteti i Lozanës dhe Universiteti i Gjenevës i ndërprenë partneritetet me Universitetin Hebraik në Kuds.
Në një opinion historik në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar gjithashtu urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Gaza.
