Suedia njoftoi sot se do të heqë dorë gradualisht nga asistenca afatgjatë për zhvillim për pesë vende në Afrikë dhe Amerikën e Jugut dhe do t’i ridrejtojë fondet për të mbështetur Ukrainën, raportoi televizioni publik SVT, transmeton Anadolu.
Ministri i Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Tregtinë e Jashtme, Benjamin Dousa, tha se qeveria do ta përfundojë ndihmën për Tanzaninë, Mozambikun, Zimbabven, Liberinë dhe Bolivinë.
Rreth 2 miliardë krona suedeze (212 milionë dollarë), të cilat do t’u ndaheshin këtyre vendeve, tani do t’i kalohen Ukrainës.
“Është detyra dhe obligimi ynë të mbështesim Ukrainën. Paratë duhet të vijnë nga diku në mënyrë që buxheti të jetë i balancuar”, tha Dousa.
Programet afatgjata të ndihmës do të përfundojnë deri më 31 gusht 2026. Ky hap pason njoftimin e mëparshëm të qeverisë se buxheti i përgjithshëm i ndihmës i Suedisë do të bjerë nga 56 miliardë krona suedeze (5,95 miliardë dollarë) në 53 miliardë krona suedeze (5,63 miliardë dollarë) vitin e ardhshëm.
Dousa njoftoi gjithashtu se tri ambasada, në Bolivi, Liberi dhe Zimbabve – të cilat kryesisht fokusohen në ndihmë – do të mbyllen.
“Kjo nuk do të thotë se ne po i ndërpresim marrëdhëniet diplomatike me këto tri vende, por se ato do të riformësohen në mënyra të tjera me më shumë fokus në marrëdhënie tregtare dhe bashkëpunim ndërpersonal”, shpjegoi ai.
Dousa gjithashtu rikonfirmoi se ndihma humanitare nuk do të preket nga ndryshimet në ndihmën afatgjatë.
