Të paktën tre persona janë vrarë, përfshirë të dyshuarin, në një të shtënë të hënën në një pistë akulli të mbyllur në shtetin amerikan Rhode Island, sipas policisë, transmeton Anadolu.
“Ne kemi konfirmuar se i dyshuari tani është i vdekur. Gjithashtu, ka dy viktima që janë konfirmuar të vdekur dhe pastaj kemi tre persona që janë ende në spital në gjendje kritike”, u tha gazetarëve shefja e policisë së Pawtucket, Tina Goncalves.
Ajo tha se autori i të shtënave, i cili ka lindur në vitin 1969, u identifikua si Robert Dorgan. Goncalves shtoi se ai përdori gjithashtu emrin Roberta dhe mbiemrin Esposito.
Më parë, shefja e policisë tha se të shtënat, të cilat ndodhën në një ndeshje hokeji të djemve të shkollës së mesme në Pawtucket, ishin një “ngjarje e synuar, se mund të jetë një mosmarrëveshje familjare”.
“Gjithashtu mund t’ju themi se një samaritan i mirë ndërhyri në këtë skenë dhe kjo është ndoshta ajo që çoi në një përfundim të shpejtë të kësaj ngjarjeje tragjike sot herët”, shtoi ajo.
Guvernatori i Rhode Island, Dan McKee tha se po e monitoron situatën nga afër.
“Si guvernator, prind dhe ish-trajner, zemra ime dhemb për viktimat, familjet, studentët dhe të gjithë ata që janë prekur nga të shtënat shkatërruese në Lynch Arena në Pawtucket”, tha McKee në një video-mesazh.
