Junta ushtarake në pushtet e Mianmarit kreu sulme ajrore që vranë të paktën 26 civilë dhe plagosën 19 të tjerë në pjesët perëndimore dhe veriperëndimore të vendit, raportuan mediat lokale të mërkurën, transmeton Anadolu.
Në shtetin Arakan, 17 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën kur sulmet ajrore goditën fshatin Yoengu në qytezën Ponnagyun të martën, raportoi Zëri Demokratik i Burmës (DVB).
Fshati ndodhet rreth 33 kilometra në verilindje të Sittwe, kryeqytetit të shtetit Arakan, i cili u pushtua nga Ushtria Arakan, një grup i armatosur etnik Rakhine që lufton ushtrinë, në mars 2024.
Një banor i Ponnagyun, i cili foli me DVB në kushte anonimiteti, tha se numri i të vdekurve mund të rritet sepse disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
“Po përpiqemi të zbulojmë emrat e viktimave”, tha banori, duke shtuar se të paktën pesë shtëpi u dogjën në sulme.
Në një sulm të veçantë në rajonin veriperëndimor Sagaing, nëntë civilë, përfshirë dy fëmijë, u vranë dhe pesë u plagosën në atë që DVB e përshkroi si një sulm nga ushtria.
Një banor i lagjes Myinmu tha se se u hodhën tre bomba në një vend ku vendasit po përdornin një pajisje Starlink për të hyrë në internet.
Përleshjet midis grupeve të armatosura etnike dhe ushtrisë së Mianmarit janë intensifikuar që nga grushti i shtetit i shkurtit 2021 që rrëzoi qeverinë e zgjedhur të udhëhequr nga Lidhja Kombëtare e Demokracisë e Aung San Suu Kyi.
Marrja e pushtetit e zhyti vendin në më shumë se katër vjet gjendje emergjence, e cila përfundoi zyrtarisht korrikun e kaluar. Mianmari gjithashtu mbajti zgjedhje në tre faza midis 28 dhjetorit të vitit të kaluar dhe 25 janarit.
Më shumë se 6.000 njerëz janë vrarë dhe gati tre milionë janë zhvendosur në luftimet midis autoriteteve ushtarake dhe grupeve të opozitës që nga grushti i shtetit, sipas monitoruesve të të drejtave.
