Ballina Arritje Teknologji Syzet inteligjente po vijnë me aftësi të jashtëzakonshme, por një problem po...

Syzet inteligjente po vijnë me aftësi të jashtëzakonshme, por një problem po shqetëson gjithë internetin

Meta në konferencën “Connect” prezantoi Ray-Ban Display, syze inteligjente që integrojnë një ekran direkt në lentet e tyre.

Me ndihmën e aksesorit Neural Band, një byzylyk që regjistron lëvizjet e dorës, përdoruesit mund të shkruajnë dhe të marrin mesazhe, të shikojnë video të shkurtra në Instagram (Reels), të bëjnë video-thirrje, të regjistrojnë foto dhe video, madje edhe të përkthejnë bisedat në kohë reale. Përvoja është diskrete dhe funksionale, gjë që e bën këtë pajisje hapin më të madh deri tani në fushën e syzeve inteligjente.

Megjithatë, pikërisht ky diskrecion ngrit shumë pyetje mbi privatësinë dhe rregullat e përdorimit.

Ndryshe nga telefoni, i cili tregon qartë kur po përdoret, te këto syze është vështirë të kuptohet kur ekrani është aktiv.

Ekziston një dritë e vogël që sinjalizon regjistrimin, por niveli i depërtimit të dritës është më pak se 2 për qin, që do të thotë se ambienti përreth mezi mund të kuptojë që pajisja është aktive.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e një shenje të dukshme mund të krijojë probleme në situata të përditshme.

Analisti Anshel Sag nga kompania Moor Insights & Strategy thekson se “rregullat e sjelljes” për syzet inteligjente janë ende në zhvillim.

Ai nënvizon se shumë institucione dhe ambiente do të duhet të përcaktojnë ndalesa të qarta për përdorimin e tyre – nga dhomat e zhveshjes dhe banjat, deri te transporti publik. Veçanërisht problematike është përdorimi gjatë ngasjes së makinës, pasi Meta Ray-Ban Display ofron navigim, dhe aktualisht nuk ka asnjë pengesë teknike që ta ndalojë përdorimin e tyre gjatë vozitjes. Kompania vetëm jep një paralajmërim nëse detekton shpejtësi të lartë, por nuk e ndalon funksionimin e syzeve.

Çështjet e privatësisë nuk kanë të bëjnë vetëm me dizajnin e pajisjes. Është e rëndësishme edhe mënyra se si kompani si Meta apo Google ruajnë të dhënat e mbledhura nga pajisje që ndodhen gjatë gjithë kohës në fytyrën tonë.

Ndërsa entuziastët lavdërojnë veçoritë si qasja e shpejtë në ndërfaqe apo regjistrimi diskret, kritikët kujtojnë historinë e problemeve me besimin dhe rastin e Google Glass, i cili dhjetë vite më parë shkaktoi kundërshtime pikërisht për shkak të frikës nga shkelja e privatësisë.

Pavarësisht të gjithave, shumëkush beson se Meta Ray-Ban Display përfaqëson një moment kyç për kategorinë e syzeve inteligjente. Pajisja tregon se teknologjia mund të jetë e dobishme dhe diskrete, por suksesi i saj do të varet nga ajo nëse përdoruesit dhe prodhuesit do të arrijnë së bashku të vendosin rregulla të qarta që mbrojnë privatësinë dhe sigurinë.

Exit mobile version