Takimi i dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit do të mbahet nesër në Stamboll, nën mikpritjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve nga burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme, takimi në fjalë pritet të organizohet me pjesëmarrjen e ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Po ashtu, është planifikuar që ministri Fidan, në margjinat e takimit, të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologët e tij.
Në takimin e dytë të Platformës së Paqes së Ballkanit, që do të mbahet nesër në Stamboll si dhe në takimet dypalëshe, pritet që Fidan të theksojë rëndësinë e parimit të përgjegjësisë rajonale, duke konfirmuar se Platforma e Paqes së Ballkanit nuk është alternativë e proceseve ekzistuese rajonale dhe ndërkombëtare, por ka karakter plotësues dhe mbështetës.
Fidan pritet të vë në pah vullnetin e Turqisë për krijimin e një baze bashkëpunimi të mbështetur në projekte konkrete që do të kontribuojnë në paqen, dialogun dhe prosperitetin në Ballkan. Ai pritet të tërheqë vëmendjen për rëndësinë e zhvillimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) në një kornizë gjithëpërfshirëse që merr parasysh ndjeshmëritë rajonale.
– Platforma e Paqes së Ballkanit
Platforma, e themeluar me nismën e Turqisë, është krijuar me qasjen e përgjegjësisë rajonale me synimin për të rritur dialogun, besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit dhe për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për çështjet rajonale.
Në këtë takim të Platformës, pritet të diskutohen një gamë e gjerë temash, përfshirë çështjet rajonale, menaxhimin e përbashkët të kufijve dhe luftën kundër migrimit të parregullt, bashkëpunimin dhe koordinimin në proceset e BE-së, sigurinë energjetike, digjitalizimin, industrinë, rininë, teknologjinë, korridoret e transportit dhe ndërlidhjen.
Takimi i parë i Platformës së Paqes së Ballkanit ishte mbajtur më 26 korrik 2025, gjithashtu në Stamboll.
– Bashkëpunimi shumëpalësh i Turqisë në Ballkan
Vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Turqisë me vendet pjesëmarrëse në Platformën e Paqes së Ballkanit është rreth 7 miliardë dollarë ndërsa investimet e saj totale në këto vende arrijnë në rreth 8.9 miliardë dollarë.
Turqia është pjesë aktive e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili bashkon 13 vende të Ballkanit, duke nxitur bashkëpunimin rajonal.
Mekanizmat trepalësh të konsultimit të krijuar me nismën e Ankarasë, Turqi-Bosnjë e Hercegovinë-Kroaci dhe Turqi-Bosnjë e Hercegovinë-Serbi përbëjnë shembuj konkretë të rëndësisë që Turqia i kushton dialogut, pajtimit dhe ndërtimit të besimit në Ballkan.
Turqia vazhdon gjithashtu të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal përmes pjesëmarrjes në misione ushtarake si Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misioni i Forcës Paqeruajtëse të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR Althea).
Turqia kishte marrë për një periudhë njëvjeçare komandën e KFOR-it nga Italia në tetor 2025.
