Në një letër të dërguar Kombeve të Bashkuara (OKB) talebanët kërkuan që të marrin pjesë në bisedimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe paraqitën një nga zëdhënësit e tyre, Suhail Shaheen, si kandidat për ambasador në OKB, raporton Anadolu Agency (AA).
Teksa në OKB vazhdojnë diskutimet se cili do ta përfaqësojë Afganistanin, talebanët nëpërmjet një letre dërguar Sekretarisë së Përgjithshme të OKB-së njoftuan se në organizatë duhet të përfaqësohen vetë dhe jo nga ish-qeveria.
Sipas informacioneve që AA ka marrë nga burimet OKB-së, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i qeverisë së përkohshme të talebanëve, Amir Khan Muttaqi, në letrën e tij ka kërkuar pjesëmarrjen në bisedimet e sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Muttaqi në letrën e tij paraqiti Suhail Shaheen si kandidat për përfaqësues të përhershëm të Afganistanit në OKB.
Pasi vendet dërgojnë në organizatë emrat e kandidatëve për ambasadorë në OKB, këto emra miratohen nga Komiteti i Akreditimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Afganistanin aktualisht në OKB ende e përfaqëson përfaqësuesi i përhershëm i ish-qeverisë, Ghulam Isaczai. /aa