Talebanët të gatshëm për të zhvilluar marrëdhënie të fuqishme me Turqinë

Amir Khan Muttaqi

Zëvendësministri i Jashtëm i qeverisë së përkohshme të talebanëve në Afganistan, Amir Khan Muttaqi tha të martën se ata janë të gatshëm të zhvillojnë marrëdhënie të fuqishme me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën e tij të parë për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kryeqytetin Kabul, Muttaqi tha se talebanët gjithashtu duan të krijojnë marrëdhënie të mira me vendet e tjera.

Ai shtoi se janë në kontakt me autoritetet turke. Muttaqi tha se ata presin që Turqia të qëndrojë pranë popullit të Afganistanit dhe të ndihmojë me punën në infrastrukturën e vendit, veçanërisht rindërtimin e aeroportit të Kabulit.

Duke iu referuar një takimi në Gjenevë mbi situatën humanitare në Afganistan, Muttaqi tha se ai vlerësoi zotimin e më shumë se 1.1 miliardë dollarë donacione për Afganistanin në konferencë.

Muttaqi theksoi se talebanët do të bashkëpunojnë me vendet donatore dhe kjo ndihmë do të shpërndahet në mënyrë transparente.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Bankës Aziatike të Zhvillimit dhe Bankës Islame të Zhvillimit të ndihmojnë në zhvillimin e Afganistanit. Ai theksoi se bllokimi i parave afgane nga SHBA-ja ishte një akt brutaliteti dhe shtoi se çështjet humanitare nuk duhet të përzihen me politikën.

Muttaqi tha se talebanët do të rrisin mundësitë e investimit në Afganistan në mënyrë që të përmirësojnë situatën ekonomike të vendit. /aa