Të dërguarit rusë dhe gjermanë takohen për rifillimin e dialogut mes dy vendeve

Bordi i drejtorëve të Forumit Ruso-Gjerman për Mirëkuptimin planifikon të mblidhet në Moskë, për herë të parë që nga pezullimi i dialogut në Shën Petërburg, i cili ngriu marrëdhëniet midis Berlinit dhe Moskës.

Dialogu i Shën Petërburgut, i krijuar 20 vjet më parë nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder si një forum që mblidhte OJQ-të, grupet e kërkimit dhe grupet e tjera të shoqërisë civile nga të dy vendet, u pezullua në fillim të këtij viti, pasi Moska ndaloi tre OJQ gjermane të shoqërisë civile në Rusi.

Forumi Gjermano-Rus për Mirëkuptimin është një shoqatë jofitimprurëse me qendër në Berlin që synon të promovojë lidhjet midis dy vendeve.

Pjesëmarrësit gjermanë në bisedimet në Moskë tani shpresojnë për një shpjegim të ndalimit de facto të OJQ-ve.

“Bashkëpunimi duhet të jetë një çështje e natyrshme, pavarësisht nga të gjitha përplasjet e interesit”, theksoi Jochen Saathoff, i dërguari i qeverisë gjermane në bisedime.

Gjermania ka sinjalizuar se do të marrë pjesë në Dialogun e Shën Petërburgut të këtij viti, i planifikuar fillimisht për në mes të tetorit në Kaliningrad, vetëm nëse të gjitha organizatat lejohen të marrin pjesë. /atsh