Ballina Artikuj Të keqen ktheje me të mirë

Të keqen ktheje me të mirë

I pari që e pati hapur këtë akademi, është i Dërguari ynë, profeti Muhamed (a.s), kur e urdhëroi Zoti i gjithësisë: ”Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” [1]

Pra, armikut tënd që të ka sharë dhe ofenduar, ktheja me të mirë dhe dashamirësi, pasi kështu do të shndërrohet nga armik në mik. Mirësia dhe dashamirësia i shndërron armiqtë në miq, si të ishin të afërmit dhe gjaku yt. Asnjëherë mos ia lejo vetes që miqtë t’i shndërrosh në armiq duke përdorur dhunën dhe agresivitetin.

Por çfarë na ka ngjarë neve? Përse e kemi mbyllur akademinë “Të keqen ktheje me të mirë” dhe kemi hapur akademinë “të bëj gropën”?! Përse jemi rritur me kulturën:”Jepi një mësim të mirë që s’do e harrojë gjithë jetën!” “E shava aq rëndë saqë nuk do i ndahet as në varr” “I nxora ujë të zi atij dhe të gjithë farefisit”…

Nuk jam i vetmi që denoncon zymtësinë, ashpërsinë, dhunën, vrenjtësinë, agresivitetin, neverinë dhe urrejtjen që ka kaplosur shoqëritë tona. Ne jemi shndërruar në shoqëri të egra, jemi gati ti hidhemi njëri-tjetrit në fyt dhe ta shqyejmë. Tek ne dominon konflikti, zënkat, mëritë dhe fjalori më i pasur i fyerjeve dhe ofendimeve më banale.

Nuk e di nëse kjo ka lidhje me klimën dhe relievin ku jetojmë, apo ndoshta për faktin se ka kohë që jemi shkëputur nga civilizimi dhe shkaqet që të çojnë drejt tij. Dështimin tonë në këtë drejtim, e kemi shndërruar në energji shkatërruese ndaj kujtdo që na kundërshton në mendim. Nëse dëshiron ta shohësh me sytë e tu në ç’derexhe jemi katandisur, hidhu një sy faqeve sociale në internet. Shih komentet në twitter dhe facebook. Një mirësi e këtyre faqeve është se na zbuluan siç jemi, treguan fytyrën tonë të vërtetë.

Nëse do të hidheshin në fletë fjalët e përdorura për mallkim, fyerje dhe sharje në komente, do të kishim një fjalor voluminoz. Përse vallë ky agresivitet verbal? Përse kjo arrogancë ndaj njëri-tjetrit? Përse kjo urrejtje dhe ashpërsi? Thotë Zoti në Kuran, duke iu drejtuar profetit Muhamed (a.s): ”Sikur të ishe i zymtë dhe zemërgur, do të hiqnin dorë prej teje..” Sakaq, teksa i kërkon Musait (a.s) dhe Harunit (a.s) të shkojnë të flasin me Faraonin, u thotë: ”I flisni butësisht, ndoshta kujtohet dhe frikësohet”

Në shoqëritë tona kemi njerëz injorantë dhe të ulët, të cilët komunikojnë me vartësit me arrogancë, edhe pse këta të fundit mund të jenë doktorë dhe profesorë. Kjo, vetëm sepse ata kanë në dorë paranë, ndërkohë që këta doktorë dhe profesorë janë më të mirë se njëmijë burra si puna e këtij injoranti.

Përse të mos i jemi mirënjohës Zotit për të mirat që na ka dhënë, të jemi modestë dhe të ulim kokat para Krijuesit tonë, të qëndrojmë pranë njerëzve, të jemi miqësorë me ta, ti duam dhe ti heqim maskat e mendjemadhësisë dhe arrogancës? Përse të mos i pastrojmë zemrat tona nga karburanti i djegur i inatit, urrejtjes, smirës, arrogancës dhe injorimit?

Për hir të gjithë këtyre të mirave që na rrethojnë, ne duhej të ulnim hundën, të silleshim mirë me robërit e Zotit, të pajtoheshim me vetet, familjet dhe shoqërinë, si dhe të harronim gabimet ndaj njëri-tjetrit. “Kush harron dhe pajtohet, shpërblimin e ka tek Zoti”

Ne duhet ta zbatojmë praktikisht ajetin: ”dhe ata që e kontrollojnë inatin dhe i falin njerëzit”. Ne duhet ta ngremë lart pankartën “Paqja qoftë mbi ju!” Atyre që na shajnë dhe ofendojnë, duhet t’i përgjigjemi me “Paqe” duke çuar në vend porosinë hyjnore: ”E kur u flisnin injorantët, ata ua kthenin “paqe”.

Islami nuk është vetëm xhami, një vend ku fillon dhe përfundon gjithçka. Njoh njerëz që shkojnë në xhami dhe keqtrajtojnë prindërit, shkojnë keq me farefisin që prej dhjetëra vitesh, zaptojnë pronat e të tjerëve padrejtësisht, japin ryshfete për dëshmi të rrejshme për të shtënë në dorë pasuri që nuk u përkasin. Ka prej tyre që nuk japin zekatin që është obligim ndaj fukarenjve, të uriturve dhe të vobektëve, të cilët e kanë rrethuar nga të katër anët. Ka të tjerë që sillen keq me komshinjtë. Ka gra që ankohen për burrat të cilët i dhunojnë në mënyrë çnjerëzore dhe i privojnë nga të drejtat më minimale. Dhuna që ushtrohet në familje dhe në shoqëri është bërë e patolerueshme. E si mund të bindim botën për tolerancën e fesë dhe dhembshurinë e besimit tonë? Si mund ti ftojmë njerëzit të përqafojnë islamin, ndërkohë që ata konstatojnë urrejtjen, neverinë dhe inatet personale në zemrat tona?

Është koha të aktivizojmë ajetin: ”Të keqen ktheje me të mirë”

Autor: Aid El Karni

[1] – Fussilet: 34.

Exit mobile version