Ballina Lajmet Kosovë Të mërkurën pritet të arrijnë mbi 62 mijë vaksina të AstraZeneca në...

Të mërkurën pritet të arrijnë mbi 62 mijë vaksina të AstraZeneca në Kosovë

Gjatë kësaj jave saktësisht të mërkurën, në Kosovë pritet të arrijnë edhe 62 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca.

Ky kontingjent i vaksinave do të arrijë në Kosovë përmes “Gavi COVAX”, e cila është një aleancë globale që ka për qëllim zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në testet, trajtimet dhe vaksinat COVID-19.

Arritjen e këtij kontingjenti të vaksinave e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Aleanca COVAX.

“62 mijë e 400 doza janë gati për t’u dërguar në Kosovë dhe pritet të mbërrijnë më 12 maj”, është thënë në një përgjigje të shkurt nga Aleanca COVAX.

Përgjigja e Aleancës COVAX për Telegrafin

Ndryshe ky është kontingjenti i dytë i vaksinave që sjell Alenca COVAX në Kosovë. Më 28 mars të këtij viti kishin arritur 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca.

Ky kontingjent ishte në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Ndryshe javën e kaluar në Kosovë kishin arritur edhe 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer dhe BioNTech. Nga sasia e këtyre dozave deri dje është thënë se janë shpenzuar 3 mijë 500.

Exit mobile version