Të paktën 84 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, mes tyre edhe kërkues ndihme

Të paktën 84 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, teksa popullsia vazhdon të përballet me uri ekstreme dhe mungesë të ndihmave humanitare.

Mes viktimave janë 16 persona që prisnin ndihma ushqimore pranë korridorit Netzarim dhe 13 të tjerë që po karikonin pajisjet elektrike në kampin e refugjatëve Al Shati. Sulmet kanë ndodhur gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Sipas dëshmitarëve, ushtria izraelite qëlloi me tanke, dronë dhe avionë mbi turmat që ishin mbledhur për të marrë ndihma. “Nuk mundëm as t’i ndihmonim të plagosurit, as të iknim vetë,” tha Bassam Abu Shaar për AFP.

Raportimet nga terreni tregojnë se sulmet ndaj qendrave të ndihmës janë kthyer në një “rutinë të përditshme”, ndërsa bllokada izraelite mbi Gaza ka sjellë mungesë ekstreme të ushqimeve dhe furnizimeve bazë.

Sipas ushtrisë izraelite, disa “persona të dyshimtë” janë afruar forcave ushtarake, çka ka shkaktuar ndërhyrjen e tyre. Ata pretendojnë se kanë qëlluar vetëm për paralajmërim dhe se nuk kanë dijeni për të plagosur.

Në një sulm tjetër me dron në një tendë të improvizuar ku palestinezët po karikonin celularët, u vranë 13 persona. Ndërkohë, avionët izraelitë bombarduan disa shtëpi në Jabalia, në veri të Gazës.

Situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet, me civilë që rrezikojnë jetën për të marrë një thes miell apo një shishe ujë.

Në 24 orët e fundit, 69 trupa dhe 221 të plagosur janë dërguar në spitale, sipas burimeve mjekësore. Që nga tetori 2023, numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në mbi 55,700, ndërsa më shumë se 130,000 janë plagosur. /mesazhi