“Oreksi i hapur” i presidentit amerikan pasi “hëngri” Maduron
Pasi forcat amerikane arrestuan Nicolas Maduron në Venezuelë gjatë fundjavës, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe administrata e tij kanë lëshuar një sërë paralajmërimesh për vendet e tjera – Kolumbinë, Kubën, Meksikën, Iranin, por edhe Groenlandën, një territor vetëqeverisës i Danimarkës, shkruan CNN.
Retorika që vjen nga Uashingtoni ngre çështjen e një ndryshimi më të gjerë në politikën e jashtme të SHBA-së dhe pikave të reja të mundshme të krizës.
“Puna jonë është të krijojmë një mjedis në të cilin vendet përreth nesh janë të qëndrueshme, të begata dhe nga të cilat nafta mund të rrjedhë lirshëm,” tha Trump. Ai shtoi se “dominimi amerikan në hemisferën perëndimore nuk do të vihet më kurrë në dyshim.”
Grenlanda
Trump përsëriti se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën dhe pozicionin e saj strategjik në Atlantikun e Veriut, duke përmendur sigurinë kombëtare: “Ne kemi nevojë për Grenlandën. Është jashtëzakonisht e rëndësishme strategjikisht tani. Ka anije ruse dhe kineze kudo,” u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, duke shtuar se Danimarka “nuk mund ta sigurojë vetë”.
Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, reagoi ashpër, duke thënë se deklaratat nga Uashingtoni ishin “krejtësisht të papranueshme”: “Kur presidenti amerikan flet për ‘nevojën për Grenlandën’ dhe na lidh me Venezuelën dhe ndërhyrjen ushtarake, kjo nuk është vetëm e gabuar – është mungesë respekti. Ne nuk jemi objekte në retorikën e fuqive të mëdha. Ne jemi një popull, një shtet dhe një demokraci”.
Kolumbia
Trump ishte veçanërisht i ashpër ndaj Presidentit kolumbian Gustavo Petro, të cilin e quajti “një njeri të sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”. I pyetur nëse kjo do të thoshte që Kolumbia mund të ishte objektivi i radhës i operacionit amerikan, Trump u përgjigj shkurt: “Më duket mirë”.
Petro u kundërpërgjigj me një postim të gjatë në rrjetet sociale, në të cilin ai mbrojti rezultatet e qeverisë së tij në luftën kundër karteleve të drogës dhe deklaroi se Kolumbia kishte sekuestruar “sasinë më të madhe të kokainës në histori”. Megjithatë, të dhënat e OKB-së konfirmojnë se prodhimi i kokainës në Kolumbi ka arritur nivele rekord.
Kuba
Trump tha se ndërhyrja ushtarake nuk ishte e nevojshme për momentin sepse vendi ishte “gati të shembet”, kryesisht për shkak të humbjes së të ardhurave nga Venezuela: “Ata nuk kanë më të ardhura. Gjithçka vinte nga Venezuela dhe nafta venezueliane”.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shkoi një hap më tej, duke e quajtur regjimin kuban një “problem serioz” dhe duke thënë se zyrtarët në Havana duhet të jenë të shqetësuar. Ndërkohë, Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel tha në një tubim para Ambasadës së SHBA-së në Havana se aleanca me Venezuelën nuk do të binte “pa luftë”.
Meksika
Trump akuzoi përsëri Meksikën se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar kartelet e drogës, duke pretenduar se droga “po përmbyt” Shtetet e Bashkuara.
“Kartelet janë shumë të fuqishme dhe Meksika duhet të bëhet serioze”, tha Trump, duke shtuar se i kishte ofruar ndihmë ushtarake amerikane presidentes meksikane Claudia Sheinbaum.
Sheinbaum hodhi poshtë me vendosmëri çdo mundësi të ndërhyrjes ushtarake amerikane, duke theksuar se Meksika “refuzon kategorikisht ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera”, por edhe se bashkëpunon me SHBA-në në luftën kundër trafikut të drogës.
Irani
Trump përsëriti gjithashtu paralajmërimet e tij ndaj Iranit, ku protestat antiqeveritare kanë vazhduar për dy javë.
“Nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara do t’i godasin shumë rëndë”, tha Trump.
Irani kohët e fundit ka qenë shënjestër e sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore, të cilat kanë prishur negociatat tashmë të brishta për kufizimin e programit bërthamor të Iranit. Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei tha se Irani “nuk do t’i dorëzohet armikut”. /tesheshi
