Tesla po përgatitet që ta kalojë Toyota-n si prodhuesi më i madh botëror i veturave

Tesla po përgatitet që të rrisë prodhimin, teksa drejtori ekzekutiv i kompanisë Elon Musk u tha aksionarëve se kompania e veturave elektrike po synon prodhimin e 20 milionë makinave të reja në vit.

Shefi i Tesla tha se numri i prodhimit mesatar nga çdo fabrikë do të rritet nga numri aktual prej 1.5 milion makina, në 2 milionë makina në vit, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Objektivi i ri do të thotë që të paktën 10 nga gigafabrikat e kompanisë do të duhet që të operojnë, dhe kur mesatarja e prodhimit do të rritet në 2 milionë, atëherë shifra e prodhimit vjetor do të shkojë në 20 milionë vetura të reja të prodhuara në vit.

Toyota, kompania më e madhe e veturave në botë, gjatë vitit 2021 kishte shitur rreth 10.5 milionë vetura, me Volkswagen që zuri vendin e dytë me 9.3 milionë shitje të raportuara.

Tesla gjatë vitit 2021 kishte raportuar 936,000 vetura të reja të prodhuara.

Musk bëri të ditur se dy fabrikat e reja të Tesla me vendndodhje në Gjermani dhe Teksas po punonin rreth zgjidhjes së “10,000” problemeve të vogla, pavarësisht se të dyja kishin një normë të prodhimit të 1.5 milion veturave.

Elon tutje shtoi: “Nëse çdo gjë shkon sipas planit, nga viti 2022 do të dalim me një normë vjetore prej 2 milionë veturave”.

Çelësi i përfitimit afatgjatë të Tesla-s është prodhimi i saj, deklaroi Musk në takimin e tij me aksionarët, teksa prodhuesi i makinave revolucionarizon procesin e prodhimit me “Giga Pressin” e saj, i cili zëvendëson qindra pjesë prej çeliku të salduara duke krijuar një copëz të madhe alumini.