The Guardian: Tërheqja e trupave amerikanë në Afganistan, një luftë që nuk mund të fitohet

Ish-kryeministri i Britanisë, Harold Macmillan i ka thënë kolegëve se ligji i parë i politikës duhet të jetë “të mos pushtoni kurrë Afganistanin”.

Ishte një mësim që Britania perandorake e kishte mësuar në mënyrën më të vështirë, pas tre ndërhyrjeve në Afganistan në shekullin e 19 dhe 20. Pas 11 shtatorit 2001, kur radikalët e al-Kaidës, të vendosur në Afganistan dhe të mbrojtur nga qeveria Talibane, sulmuan Nju Jorkun dhe Uashingtonin, mësimi u harrua shumë shpejt.

Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara, të mbështetura nga Britania dhe NATO, filluan një fushatë hakmarrëse për të shkatërruar al-Kaidën dhe përmbysur talebanët.

Pas suksesit fillestar, të shënuar nga shembja e papritur e Kabulit dhe bombardimet masive të pranisë së al-Kaidës në malet lindore, fushata ushtarake u përball me disfatë. Talibanët u rigrupuan dhe u armatosën dhe kështu vijuan vitet e gjata të konflikteve.

Këtë javë, gati 20 vite më vonë, Joe Biden ka vendosur që Amerika të tërheqë trupat amerikanë. Aleatët e Amerikës, përfshirë Britaninë, tani do të ndjekin shembullin e SHBA-së.

Biden njoftoi se gati 10,000 trupa amerikane dhe të NATO-s – përfshirë 750 nga Britani do të fillojnë të tërhiqen brenda javësh dhe në 20 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit nuk do të ketë më asnjë forcë ushtarake të mbetur në Afganistan, raporton abcnews.al

Fjalët e presidentit ishin një kundërpërgjigje ndaj asaj që, në fund të fundit ka qenë një fushatë e dështuar.

“Ne nuk mund të vazhdojmë ciklin e shtrirjes ose zgjerimit të pranisë sonë ushtarake në Afganistan, duke shpresuar të krijojmë kushte ideale për tërheqjen e trupave dhe duke pritur një rezultat tjetër”, tha presidenti.

Ai me siguri ka të drejtë. Donald Trump kishte arritur në një përfundim të ngjashëm nga një këndvështrim tjetër, edhe pse, ndryshe nga Biden, pa u këshilluar më parë me aleatët e tij.

Asnjë nga ato nuk do të ndalojë Republikanët të kritikojnë vendimin Biden si të pamatur.

Njoftimi i presidentit amerikan ekspozon disa nga kufijtë e fuqisë amerikane të shekullit 21. Është e vërtetë që, ndërsa SHBA-ja ka qenë e angazhuar në Afganistan, arsimi ka lulëzuar në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë edhe për vajzat, të cilat ishin përjashtuar kryesisht nga Talibanët.

Por këto fitime mbeten të brishta dhe e ardhmja e tyre është shumë e pasigurt . Kur regjimi afgan i mbështetur nga Rusia u shemb në fillim të viteve 1990, Talibanët arritën të merrnin kontrollin shumë shpejt. E njëjta gjë mund të ndodhë pas largimit të Amerikës 30 vite më vonë. Bisedimet e paqes ende po vazhdojnë, por Talibanët tani do të kenë më pak arsye t’i trajtojnë ato seriozisht.

Vendimi i Biden shënon “fundin” e krenarisë amerikane. Format e reja të luftës, gjithnjë e më ambicioze dhe që përfshijnë më pak trupa tokësore sesa në luftërat e mëparshme të tilla si Vietnami, u mbështetën dy dekada më parë nga ish-sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld.

Ata nuk i kanë arritur qëllimet që ai pretendoi. Të fitosh këtë lloj lufte pa angazhime të mëdha të trupave nuk ka funksionuar. Armiqësitë rajonale nuk janë kapërcyer. Opinioni publik amerikan është bërë gjithnjë e më armiqësor ndaj angazhimit në konfliktet në Afganistan.

Pretendimet për ndërtimin e Afganistanit dhe, më vonë, Irakut janë cilësuar si të paarritshme. Shumë prej tyre ishin parashikuar atëherë kur filloi konflikti. Por vendimi i Biden nuk është pritur shumë mirë, pas një pasigurie dhe frike që ekziston për shumë burra dhe gra afgane. /abcnews