Thirrja e Zelenskit për Perëndimin: Parandaloni një krizë globale ushqimore – VIDEO

Presidenti Zelenski i kërkon komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për t’i dhënë fund bllokadës ruse për të lejuar dërgesat e grurit dhe për të parandaluar një krizë globale ushqimore.

“Për herë të parë në dekada në Odesa nuk ka lëvizje të zakonshme të flotës tregtare. Ndoshta kjo nuk ka ndodhur kurrë në Odesa që nga Lufta e Dytë Botërore. Aktiviteti është bllokuar nga Rusia. Dhe kjo është një goditje jo vetëm për Ukrainën”, tha Zelenski të hënën në një deklaratë.

Presidenti Zelenski shtoi se për shkak të mungesës së eksporteve bujqësore ukrainase, dhjetëra vende mund të përballen me mungesën e ushqimit dhe pasoja e çmimeve. Kjo vjen si pasojë e agresionit rus.

“Pa eksportet tona bujqësore, dhjetëra vende në pjesë të ndryshme të botës janë në prag të mungesës së ushqimit. Politikanët tashmë po diskutojnë pasojat e mundshme të krizës së çmimeve dhe urisë në vendet afrikane, vendet aziatike. Është një pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus, e cila mund të kapërcehet së bashku – nga të gjithë evropianët, nga e gjithë bota e lirë. Mund të kapërcehet duke ushtruar presion mbi Rusinë, duke e detyruar të ndalojë këtë luftë të turpshme”, tha Zelenski.

Forcat ruse nga ana tjetër vijojnë sulmet e tyre në uzinën e Mariupolit në Azovstal, por edhe në rajonin lindor të Donbas. /euronews