Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Thirrje ndaj Komisionit Evropian që urgjentisht të japë ndihmën për Palestinën

Thirrje ndaj Komisionit Evropian që urgjentisht të japë ndihmën për Palestinën

“Vonesa rrezikon të minojë reformat dhe dialogun e vazhdueshëm në Palestinë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga ministra e jashtëm të 15 vendeve të BE-së

Pesëmbëdhjetë vende të BE-së i kërkuan Komisionit Evropian që të japë urgjentisht ndihmën për Palestinën që është vonuar për shkak të polemikave në tekstet shkollore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një letër të datës 8 prill dhe të publikuar nga gazeta e lajmeve Politico të hënën, grupi i vendeve të BE-së të udhëhequr nga Irlanda shprehën shqetësime për “vonesën e vazhdueshme në dhënien e ndihmës së BE-së për Palestinën për vitin 2021 për shkak të propozimeve të Komisionit për të kushtëzuar financimin me reforma në sektorin e arsimit”.

Nënshkruesit argumentuan se financimi duhet të bëhet “sa më shpejt të jetë e mundur” sepse “Autoriteti Palestinez është në një situatë sfiduese dhe po përjeton një krizë të rëndë fiskale, e komplikuar më tej nga inflacioni i çmimeve të naftës dhe grurit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë”.

Ata theksuan gjithashtu se “kushtëzimi në një kohë kur Autoriteti Palestinez është tashmë i angazhuar në një program ambicioz të reformës arsimore, rrezikon të minojë, apo edhe të ndryshojë progresin e arritur deri më sot”.

Letra paralajmëron se vonesa “mund të dëmtojë dialogun tonë të vazhdueshëm me palestinezët për këtë dhe çështje të tjera”.

Ata gjithashtu përkujtuan se propozimi i fundit i Komisionit Evropian për lidhjen e ndihmës me kushtëzimin në sektorin e arsimit “nuk gëzon mbështetje të gjerë” midis vendeve të BE-së.

Me iniciativën e Oliver Varhelyi, komisioneri i BE-së për zgjerimin dhe fqinjësinë, Komisioni Evropian propozoi një mekanizëm kushtëzimi për ndarjen e ndihmës financiare për Palestinën.

Masa erdhi pas një polemike rreth disa teksteve shkollore që supozohet se përmbajnë tekste antisemite dhe nxitje për dhunë sipas kritikëve.

Letra është nënshkruar nga ministrat e jashtëm të Irlandës, Belgjikës, Estonisë, Finlandës, Francës, Greqisë, administratës greke qipriote, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Maltës, Polonisë, Portugalisë, Spanjës dhe Suedisë.

Ministrat pritet të diskutojnë gjithashtu çështjen në takimin e diplomatëve të lartë të BE-së në Luksemburg sot. /aa

Exit mobile version