Ballina Lajmet Kosovë TI: Kosova ka përparuar në luftën ndaj korrupsionit, por s’e ka nën...

TI: Kosova ka përparuar në luftën ndaj korrupsionit, por s’e ka nën kontroll

Kosova ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, por nuk e ka nën kontroll këtë dukuri, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022. Në një matës nga 0 deri në 100 pikë, sipas TI-së, Kosova ka grumbulluar 41 pikë në luftën ndaj korrupsionit. 100-shi është vlera për vendin shumë të pastër nga korrupsioni. Në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit, Kosova radhitet në vendin e 84-t me 41 pikë, dy më shumë se vitin e kaluar. Ky është niveli më i lartë i pikëve në 10 vjetët e fundit për Kosovën, megjithatë TI thekson se Kosova vazhdon të mos e ketë nën kontroll korrupsionin.

“Kosova (41) ka bërë përparim me kornizë të përmirësuar të ligjit për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm. Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Edhe pse vitin e kaluar nuk ka pasur skandale të korrupsionit që kanë dalë në dritë, kjo s’do të thotë se korrupsioni është nën kontroll. Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë ulur mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, që ka qenë problem i së kaluarës”, thuhet në raport.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar duke thënë se ky është rezultati më i mirë ndonjëherë.

Haxhiu ka shkruar në Facebook se ky është motiv shtesë për angazhimin e secilit në rrugën e pa kompromis në luftën kundër korrupsionit.

vitin e dytë radhazi Transparency International e renditë Kosovën si një shtet me progres në luftën kundër korrupsionit. Indeksi i perceptimit të korrupsionit i publikuar sot për mbi 180 shtete në mbarë botën e vendosi Republikën tonë në vendin e 84 me 41 pikë, rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë. Qeverisja jonë me duar të pastra, pa tender të fiksuar më parë, pa nepotizëm, pa ndërhyrje në sistemin e drejtësisë reflektohet në këtë indeks global por edhe në raporte të tjera ndërkombëtare. Ne u gëzohemi raporteve e indekseve globale që vendosin Kosovën lartë. Ky është motiv shtesë për angazhimin e secilit në rrugën e pa kompromis në luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar Haxhiu.

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar vlerësimin më të detajuar për indeksin e perceptimit të korrupsionit për Kosovën. Në një konferencë për media, ky institut ka thënë se në “raport me sektorin e drejtësisë, kanë qenë evidente rastet kur ekzekutivi ka ndërhyrë në punën dhe pavarësinë e gjyqësorit, sidomos me vendimin për uljen e pagave dhe deklarimeve publike mbi disa raste gjyqësore”.

“Po ashtu, shkurtimi i buxhetit për institucionet e përfshira në parandalimin e korrupsionit, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, bie ndesh me prioritetet e ekzekutivit në luftën kundër korrupsionit. Përkundër inicimit të rasteve ‘Brezovica’ dhe ‘Subvencionet’ nga institucionet e drejtësisë, mosefikasiteti i gjyqësorit vazhdon të manifestohet me politikë të ulët ndëshkimore dhe prolongim të trajtimit të rasteve të mëdha të korrupsionit – duke përfshirë rastet e njohura si ‘Hidrocentralet’, ‘Toka’, ‘Veteranët’, ‘Stenta’ apo ‘53 milionëshi’. Për më tepër, edhe gjatë vitit të kaluar, ka vazhduar fenomeni i politizimit të bordeve, përmes praktikave të emërimit të anëtarëve nga radhët e partisë në pushtet. Në disa prej ndërmarrjeve kryesore publike në vend, në të cilat ka pasur ndryshim menaxhmenti, të emëruarit janë persona të afërt, ish-zyrtarë politikë apo persona të lidhur me partinë në pushtet”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Sipas KDI-së, me qëllim të luftimit sa më efektiv të korrupsionit, veçanërisht të nivelit të lartë, “Qeveria duhet të garantojë një reformë në drejtësi në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me koordinim sa më të mirë me të gjithë akterët relevantë”.

“Në këtë drejtim, Qeveria duhet të përmbahet nga çfarëdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, për të garantuar kontroll dhe balancë mes pushteteve. Qeveria nuk duhet të hezitojë në shpenzimin e parasë publike nga frika e rasteve të korrupsionit. Përkundrazi, në këtë periudhë me nivele rekord të inflacionit, do të duhej që të ketë sa më shumë investime publike dhe kapitale, për të përmbushur prioritetet dhe nevojat e qytetarëve, gjithnjë duke u siguruar që prokurimet publike zhvillohen në transparencë dhe llogaridhënie të plotë”, ka thënë KDI-ja.

Në përgjithësi në raport theksohet se Ballkani Perëndimor është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar e se shtetet kanë qenë të ngadalshme në adresimin e rrezikut. Aty janë përmendur tensionet Kosovë-Serbi si shkaktare për rritje të rrezikut në rajon, duke theksuar minimin e bashkëpunimit kufitar, “që është çelës i luftimit të suksesshëm ndaj krimit të organizuar”.

“Vendimmarrja politike më transparente dhe e përgjegjshme, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi, do të krijonte klimë më të përshtatshme për zgjidhjen konstruktive të konfliktit të ngrirë dhe do të mundësonte zbatimin e reformave kyçe si parakusht për integrimin në BE”, thuhet në raport.

Përmirësim ka regjistruar edhe Shqipëria. Ajo tash ka 36 pikë dhe është e 101-a në renditje. Është ngritur për një pikë në krahasim me vitin e shkuar. Edhe Maqedonia e Veriut është përmirësuar për një pikë. Ajo është e 85-a me 40 pikë.

Serbia ka rënë për dy pikë dhe me 36 sosh është e 101-a në renditje. Për një pikë ka rënë edhe Mali i Zi që është i 65-i në renditje me 45 pikë.

Më së miri në botë është Danimarka. Ajo ka 90 pikë në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit. Pas saj janë Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia, Zvicra, Holanda, Gjermania, Irlanda e Luksemburgu që mbyllin dhjetëshen e parë.

Exit mobile version