Një grua izraelite u përball me ministrin e Sigurisë Kombëtare të krahut të djathtë ekstrem, Itamar Ben-Gvir, në vendin e një sulmi me raketë nga Irani në qytetin jugor Arad, duke e akuzuar atë për përgjegjësi për vdekjet dhe shkatërrimin, sipas një videoje të shpërndarë nga aktivistë izraelitë, transmeton Anadolu.
Gruaja i bërtiti Ben-Gvirit, duke e quajtur “judeo-nazist” dhe duke e fajësuar për “të gjitha vdekjet” gjatë vizitës së tij për të inspektuar vendin e goditjes, tregojnë pamjet.
“Ti vetëm mbjell vdekje. Nuk ke çfarë kërkon këtu – largohu nga qyteti im!”, tha ajo.
Përballja ndodhi pasi një sulm me raketë iraniane goditi Aradin vonë të shtunën, duke plagosur 118 persona, sipas shërbimit izraelit të emergjencës Magen David Adom (MDA).
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se raketa shkatërroi një lagje të tërë në qytet dhe plagosi dhjetëra banorë.
Ben-Gvir vizitoi vendin vonë të shtunën, së bashku me një tjetër zonë të goditur në Dimona, ku të paktën 64 persona u plagosën në një sulm tjetër, sipas MDA-së.
Përshkallëzimi rajonal ka vazhduar që nga koha kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri tani mbi 1.300 viktima, përfshirë edhe ish-Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit të cilat strehojnë asete ushtarake amerikane.
