Titulli i parë e fut në mesin e historikëve Hansi Flickun – arkitekti i një epoke të re te Barcelona

Ai premtoi punë dhe përkushtim – dhe e mbajti fjalën. Hansi Flick u lidh shpejt me lojtarët e Barcelonës dhe fitoi zemrat e tifozëve.

Nën drejtimin e tij, Barça fitoi La Ligën me një stil që kombinon thelbin tradicional me energjinë moderne: vertikalitet, presion të lartë, rikuperim të menjëhershëm dhe një sulm të gjallë që solli 95 gola gjatë sezonit.

Gjermani e ndërtoi këtë sukses pa kërkuar përforcime të mëdha – i vetëdijshëm për situatën financiare të klubit dhe rinovimin e “Spotify Camp Nou”. Përveç Dani Olmos dhe Pau Víctorit, nuk kishte ardhje të tjera domethënëse. Ai u mbështet te grupi ekzistues dhe, mbi të gjitha, te La Masia.

Flick punoi thellësisht në aspektin taktik, fizik dhe mendor të skuadrës, duke i dhënë secilit lojtar një rol të qartë. Kohezioni dhe harmonia u kthyen në cilësi kyçe të Barcelonës. Lojtarë si Raphinha dhe Frenkie de Jong u rilindën, ndërsa besimi i plotë ndaj të rinjve e forcoi identitetin e klubit.

Një histori suksesi më vete është Lamine Yamal. Me vetëm 17 vjeç, ai u shndërrua në futbollistin më vendimtar të sezonit. Flick e mbrojti, e drejtoi dhe i dha hapësirë që të rritej – duke krijuar një yll të ri që do të shkëlqejë për vite me radhë.

Edhe Robert Lewandowski gjeti te Flick trajnerin ideal për të rikthyer instinktin e tij të golashënuesit.

Barcelona e Flick dominoi El Clasicon, me një fitore 4-0 në “Santiago Bernabeu” që shënoi kthesën e madhe. Mposhtën Atletico Madridin në “Wanda Metropolitano” dhe larguan Simeonen nga gara për titull.

Pas një rënieje në nëntor-janar, ku fituan vetëm 6 nga 24 pikë, skuadra reagoi fuqishëm duke marrë 43 nga 45 pikët e fundit dhe duke vulosur kampionatin dy xhiro para fundit.

Të gjithë trajnerët kampionë të La Ligës me Barcelonën

Me 4 tituj: Johan Cruyff (1990-91, 91-92, 92-93, 93-94)
Me 3 tituj: Pep Guardiola (2008-09, 09-10, 10-11)
Me 2 tituj: Enrique Fernández (1947-48, 1948-49), Ferdinand Daucik (1951-52, 1952-53), Helenio Herrera (1958-59, 1959-60), Louis van Gaal (1997-98, 1998-99), Frank Rijkaard (2004-05, 2005-06), Luis Enrique (2014-15, 2015-16), Ernesto Valverde (2017-18, 2018-19)
Me 1 titull: Romà Forns (1928-29, Josep Samitier (1944-45), Rinus Michels (1973-74), Terry Venables (1984-85), Tito Vilanova (2012-13), Xavi Hernández (2022-23), Hansi Flick (24-25).

Kampioni i dhjetë në vitin e parë

Flick bëhet trajneri i dhjetë i Barçës që fiton La Ligën në sezonin e tij të parë në krye, duke iu bashkuar emrave si James Bellamy, Josep Samitier, Enrique Fernández, Terry Venables, Louis van Gaal, Pep Guardiola, Tito Vilanova, Luis Enrique dhe Ernesto Valverde. /