Dokumentarët që po transmetohen gjatë Ramazanit, me llahtara të Saydnaya-s
Për dekada me radhë, tmerret brenda mureve të burgjeve siriane ishin një tabu që mund të kushtonte jetën. Por sot, pas rënies së regjimit të Bashar Al-Assad, ato histori po kthehen në qendër të vëmendjes përmes produksioneve televizive që po transmetohen gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, periudha më e rëndësishme e shikueshmërisë në botën arabe.
Në një fabrikë sapuni të braktisur në veri të Bejrutit, skenografët kanë rikrijuar me imtësi korridoret e errëta dhe qelitë mbytëse të Saydnaya-s, burgut ushtarak që Amnesty International e ka pagëzuar si “thertore njerëzore”, ku seriali “Al-Khuruj Min Al-Beir” (Dalja nga pusi) po thyen heshtjen 50-vjeçare të sundimit të hekurt të familjes Assad duke sjellë në ekran skena të torturës, ekzekutimeve dhe zhdukjeve me forcë.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press (AP), trajtimi i këtyre temave mbetet një proces i dhimbshëm dhe tejet i ndjeshëm për shoqërinë siriane. Regjisori Mohammed Lutfi, thekson se Saydnaya mbetet një vend i errët plot me histori tragjike, për të cilat shumë familje të viktimave ndjehen të dyzuara.
Shoqata e të Paraburgosurve vlerëson se rreth 30.000 persona u burgosën në Saydnaya pas vitit 2011, por vetëm një pjesë e vogël arritën të dalin gjallë pas përmbysjes së regjimit. Prandaj për shumë sirianë këto seriale janë një formë katarsisi.
Përveç dokumentarit “Dalja nga pusi”, që fokusohet në kryengritjen e vitit 2008, seriale të tjera si “Çezari, pa kohë e vend” dhe “Provinca 15”, po merren me dëshmitë reale të torturave dhe lidhjen e ndërlikuar mes Libanit dhe Sirisë, përfshirë krizën e refugjatëve.
Pavarësisht interesit të madh, Shoqata e Familjeve të Çezarit ka reaguar ashpër duke deklaruar se drejtësia kërkohet në gjykatë dhe jo në studiot e filmave, pasi dhimbja e mijëra familjeve që kërkojnë eshtrat e të dashurve nuk duhet të përdoret për argëtim.
Megjithatë, kineastët këmbëngulin se kjo është koha për të dokumentuar epokën e errët, pasi frika nga hakmarrja e regjimit i mbajti këto projekte në sirtar për vite me radhë, ndërsa tani që “pusi” është hapur, bota arabe po përballet me imazhet e një makthi që për shumë sirianë ishte realiteti i përditshëm. /tesheshi
