Toyota ka lansuar e-Palette në Japoni, një minibus plotësisht elektrik që kushton deri në 29 milionë jen (rreth 167,000 euro), duke e bërë atë automjetin më të shtrenjtë në ofertën e kompanisë – më të shtrenjtë se SUV-i luksoz Century.
Toyota e-Palette është projektuar si një automjet për shërbime të ndryshme mobile: mund të jetë një autobus, një dyqan mobil, një restorant me rrota apo edhe një sallë sportive.
Automjeti është pothuajse pesë metra i gjatë, 2.6 metra i lartë dhe mund të akomodojë deri në 17 pasagjerë, përfshirë shoferin.

Ai fuqizohet nga një motor elektrik 201 kuaj-fuqi, dhe një bateri 72.8 kWh ofron një rreze deri në 250 kilometra, transmeton Telegrafi.
Një karikim i shpejtë deri në 80% të kapacitetit zgjat rreth 40 minuta.
Brendësia është modulare dhe mund të personalizohet – nga transporti i pasagjerëve deri te hapësira argëtimi ose një qendër biznesi.
Toyota planifikon ta përdorë modelin në Tokio dhe qytetin futuristik të Woven City, dhe në të ardhmen me nivele më të larta të drejtimit autonom.
Çmimi është astronomik, por me subvencionet qeveritare në Japoni mund të jetë gjysma e çmimit, ndërsa automjeti do të ndërtohet ekskluzivisht me porosi.