Tragjedia në Koçan, inspektimet zbulojnë dhjetëra objekte pa licencë në Maqedoninë e Veriut

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë mbyllur dhjetëra klube nate dhe ambiente zbavitjeje si rezultat i inspektimeve të gjera që filluan pas zjarrit vdekjeprurës në një diskotekë në qytetin e Koçanit, në të cilin 59 persona humbën jetën, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media, zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva, tha se janë kryer 50 kontrolle në disa qytete më 16 dhe 17 mars, ndërsa vetëm 22 objekte rezultojnë të kenë pasur licenca të vlefshme.

“Për të gjitha objektet me licencë të skaduar ose pa licencë, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka urdhëruar pezullimin e aktiviteteve derisa të shqyrtohen dhe vërtetohen të gjitha dokumentet e nevojshme, derisa të verifikohet nëse posedojnë edhe kushtet minimale teknike për të kryer aktivitetin në mënyrë që të mund të pajisen me licencë në vijim”, tha Miteva.

Ajo theksoi se ndaj 22 objekteve me licencë pune do të bëhen kontrolle shtesë mbi kërkesat minimale teknike të nevojshme për sigurimin e licencës.

Miteva njoftoi po ashtu se në Ministrinë e Ekonomisë po bëhet kontrolli i licencave për të parë nëse ka ndonjë rast të keqpërdorimit të punës arkivore.

Në orët e para të 16 marsit, në një diskotekë në Koçan shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 150 u lënduan. Sipas informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë, 72 të lënduar janë duke u trajtuar jashtë vendit, përfshirë edhe në Türkiye.

Autoritetet gjyqësore kanë caktuar masën e paraburgimit afatshkurtër për 16 persona. Siç njoftohet, lokali në fjalë ka nuk ka vepruar sipas rregullores dhe nuk ka pasur licencë pune.

Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie pas tragjedisë.