Tregjet në zhvillim përballen me një rekord tërheqjesh nga investitorët e huaj

Frika nga recesioni global dhe rritja e normave të interesit po nxisin tërheqjen e investitorëve të huaj.

Investitorët e huaj kanë tërhequr fondet e tyre nga tregjet në zhvillim për pesë muaj rresht, në atë që është cilësuar si seria më e gjatë e tërheqjeve nga investitorët e huaj në histori, duke nxjerrë kështu në pah mënyrën se si frika e recesionit dhe rritja e normave të interesit po tronditin ekonomitë në zhvillim.

Flukset dalëse nga investitorët ndërkombëtarë në aksionet EM dhe obligacionet vendase arritën në 10.5 miliardë dollarë këtë muaj, sipas të dhënave të përkohshme të përpiluara nga Instituti i Financave Ndërkombëtare. Kjo bëri që flukset dalëse gjatë pesë muajve të fundit të arrinin më shumë se 38 miliardë dollarë – periudha më e gjatë e flukseve dalëse neto që nga fillimi i regjistrimit të tyre në vitin 2005.

Flukset dalëse rrezikojnë të përkeqësojnë krizën financiare në të gjitha ekonomitë në zhvillim. Gjatë tre muajve të fundit, Sri Lanka nuk ka arritur që të paguajë borxhin e saj sovran, ndërsa Bangladeshi dhe Pakistani i janë drejtuar FMN-së për ndihmë. Gjithnjë e më shumë emetues të tjerë në tregjet në zhvillim janë gjithashtu në rrezik.

Shumë vende në zhvillim me të ardhura të ulëta dhe të mesme po vuajnë nga zhvlerësimi i valutave dhe nga rritja e kostove të huamarrjes, të nxitura nga rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA dhe nga frika e recesionit në ekonomitë kryesore të përparuara. Javën e kaluar, SHBA regjistroi rënien e dytë radhazi tremujore të prodhimit.

Investitorët kanë tërhequr gjithashtu 30 miliardë dollarë deri në këtë periudhë të vitit nga fondet e obligacioneve EM në valutë të huaj, të cilat investohen në obligacione të emetuara në tregjet e kapitalit në ekonomitë e përparuara, sipas të dhënave nga JPMorgan.

Obligacionet në valutë të huaj në të paktën 20 tregje në zhvillim tregtohen me yield-e prej më shumë se 10 pikë përqindjeje më të larta se ato të bonove të krahasueshme të thesarit të SHBA. Diferencat në nivele kaq të larta shpesh shihen si tregues të një situate të rëndë financiare, që sjell rrezikun e mospagimit të borxheve.

Kjo shënon një përmbysje të pritshmërive të investitorëve nga fundi i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022, kur shumë prej tyre prisnin që ekonomitë në zhvillim të rikuperoheshin fuqishëm nga pandemia. Në fund të prillit të këtij viti, valutat dhe aktivet e tjera në EM-të eksportuese të mallrave si Brazili dhe Kolumbia performuan mirë për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe lëndëve të tjera të para, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Por, frika nga recesioni global dhe nga inflacioni, rritjet agresive të normave të interesit në SHBA dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike në Kinë kanë bërë që shumë investitorë të tërhiqen nga asetet e EM.

Jonathan Fortun Vargas, ekonomist në Institutin e Financave Ndërkombëtare, tha se tërheqjet nga investitorët e huaj kishin qenë jashtëzakonisht të përhapura në tregjet në zhvillim; herët e kaluara, flukset dalëse nga një rajon janë balancuar pjesërisht nga flukset hyrëse në një rajon tjetër.

“Kësaj radhe, sentimenti i investitorëve është përgjithësisht negativ,” tha ai.

Analistët paralajmëruan gjithashtu se, ndryshe nga herët e mëparshme, nuk ka një perspektivë të shpejtë që kushtet globale do të kthehen në favor të EM.

“Pozicioni i Fed duket se është shumë i ndryshëm nga ai i cikleve të mëparshme,” tha Adam Wolfe, ekonomist në Absolute Strategy Research. “Ajo është më e gatshme të rrezikojë që të sjellë një recesion në SHBA dhe që të destabilizojë tregjet financiare, vetëm që të ulë inflacionin.”

Ka gjithashtu pak shenja të një rikuperimi ekonomik në Kinë, ekonomia më e madhe në zhvillim e botës, paralajmëroi ai. Kjo kufizon aftësinë e saj për të nxitur një rimëkëmbje në vendet e tjera në zhvillim, që mbështeten në ekonominë e Kinës si një treg eksporti dhe një burim financimi.

“Sistemi financiar i Kinës është në një situatë të keqe nga rënia ekonomike e vitit të kaluar dhe kjo ka kufizuar mundësitë e bankave për të vazhduar rifinancimin e të gjitha kredive të tyre në tregjet e tjera në zhvillim,” tha Wolfe.

Kostot e huamarrjes për EM-të e mëdha si Brazili, Meksika, India dhe Afrika e Jugut kanë pasur gjithashtu rritje këtë vit. Shumë ekonomi të mëdha morën masa më të hershme për të luftuar inflacionin dhe vendosën politika që i mbrojnë ato nga goditjet e jashtme.

E vetmja EM e madhe shqetësuese është Turqia, ku masat e qeverisë për të mbështetur lirën, ndërkohë që ajo refuzon të rrisë normat e interesit duke premtuar kështu se do t’u paguajë depozituesve vendas koston e zhvlerësimit të monedhës, kanë një kosto të lartë fiskale.

Masa të tilla mund të funksionojnë vetëm nëse Turqia ka një suficit të llogarisë kombëtare rrjedhëse, gjë që është e rrallë, tha Wolfe. “Nëse ka nevojë për financa të tjera, këto sisteme gradualisht do të shemben.”

Megjithatë, ekonomitë e tjera të mëdha në zhvillim po përballen me presione të ngjashme, shtoi ai. Mbështetja te financimi i borxhit do të thotë që përfundimisht, qeveritë duhet të shtypin kërkesën e brendshme për të vënë borxhet nën kontroll, duke rrezikuar kështu një recesion.

“Ajo që është befasuese është mënyra se si ka ndryshuar sentimenti i investitorëve,” tha Fortun Vargas. “Eksportuesit e mallrave ishin të preferuarit e investitorëve vetëm pak javë më parë. Tashmë, nuk ka më të preferuar.”/monitor