Tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, MSh del me sqarim: Mund të hysh edhe me dy doza dhe test negativ

Ministria e Shëndetësisë ka dalë me një sqarim pas reagimeve të shumta nga shtetet fqinje lidhur me masat e fundit kundër COVID-19, ku për të hyrë në Kosovë shtetasit e huaj duhet të paraqesin dëshminë e vaksinimit me tre doza të vaksinës.

MSh ka theksuar se vendimi nuk kërkon domosdoshmërisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull që është praktikuar edhe nga shtete te tjera.

“Vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshëm më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarim.