Kur egoja e një njeriu vihet mbi mbijetesën e miliarda shpirtrave…
Në analet e diplomacisë moderne, asnjë udhëheqës nuk e ka trajtuar Zyrën Ovale si një tryezë bixhozi më shumë se Donald Trump, për të cilin marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë një sistem rregullash apo traktatesh, por një lojë “Texas Hold’em” ku fituesi merr gjithçka dhe humbësi mbetet pa asgjë.
Vendimi i tij i fundit për të urdhëruar një bllokadë detare të menjëhershme në Ngushticën e Hormuzit është “all-in” më i rrezikshëm i karrierës së tij politike, një lëvizje që dëshmon se ai është gati të vërë në bixhoz të gjithë sigurinë energjetike të globit për një dorë letrash që mund të mos e ketë fare nën kontroll.
Trump e ka pasur gjithmonë fiksim t’u thotë kundërshtarëve të tij se ata “nuk i kanë kartat” (you don’t have the cards), duke e përdorur këtë shprehje si një mjet për të zhvlerësuar peshën e tjetrit.
Por me bllokadën e Hormuzit, ai po përpiqet të bindë Teheranin dhe mbarë botën se ai mban në dorë një “Royal Flush” të pathyeshëm.
Megjithatë, problemi tragjik me pokerin gjeopolitik është se, ndryshe nga kazinotë e Atlantic City-t, ku humbja mbetet brenda katër mureve, këtu nëse dikush guxon të thërrasë bllofin tuaj, pasojat nuk janë thjesht humbje çipash plastikë, por shpërthime luftërash frontale dhe një kolaps ekonomik i pakthyeshëm.
Kjo strategji bazohet tërësisht në parashikueshmërinë e paparashikueshmërisë, ku Trump beson se duke bllokuar këtë arterie jetike, do t’i detyrojë të gjithë aktorët e tjerë të hidhen nga loja dhe të pranojnë kushtet e tij.
Ai po u thotë aleatëve evropianë dhe fuqive aziatike se ai zotëron “valvulën” e zemrës së tyre ekonomike dhe se duhet të luajnë sipas rregullave të tij, ose të përgatiten për errësirë totale energjetike.
Ky është stili i tij klasik i negociatave: të rrisë bastin deri në absurditet, me shpresën se pala tjetër, do të panikoset përpara se kartat të kthehen përmbys mbi tryezë.
Por rreziku është shumë i madh, sepse nëse Teherani vendos se nuk ka më asgjë për të humbur dhe e luan dorën e tij deri në fund me taktika asimetrike, atëherë “kartat” e Trumpit nuk do të kenë asnjë vlerë.
Presidenti amerikan po luan me jetën e mijëra trupave amerikane dhe me stabilitetin e tregjeve botërore, duke u mbështetur në instinktin e tij të vjetër të bixhozçiut që beson se mund t’i frikësojë të gjithë, pa llogaritur se pjesa tjetër e botës nuk kërkoi kurrë të ulej në këtë tryezë të përgjakshme.
Tani, çdo familje që sheh rritjen e çmimit të karburantit po paguan biletën e hyrjes në një lojë ku Trump ka vënë peng fatet e njerëzimit për të mbuluar dështimet e tij në tavolinat e diplomacisë reale.
Ndërkohë Trump po harron rregullin e parë të bixhozit: kurrë mos vendos në bast diçka që nuk mund të lejosh ta humbësh.
Sepse në këtë lojë nuk po rrezikohet vetëm egoja e një presidenti, por stabiliteti i rendit botëror, që mund të shembet si një shtëpi letrash prej një lëvizjeje të vetme të pamenduar mirë. /tesheshi
