Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po mbështet një “Qeveri të re Teknokratike Palestineze” për administrimin e Rripit të Gazës, ndërsa armëpushimi ka hyrë në fazën e dytë, në një klimë të shënuar nga shkelje të vazhdueshme izraelite.
Në një deklaratë publike, Trump tha se një panel teknokratësh palestinezë do të marrë përsipër qeverisjen e enklavës gjatë një periudhe tranzitore, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në tetor. Sipas tij, kjo administratë synon të sigurojë stabilitet, të lehtësojë procesin e rindërtimit dhe të menaxhojë çështjet humanitare në Gaza.
Plani parashikon që Gaza të drejtohet nga një trupë teknokratike palestineze nën mbikëqyrjen e një mekanizmi ndërkombëtar, i quajtur “Bordi i Paqes”, gjatë fazës së tranzicionit pas armëpushimit.
Megjithatë, armëpushimi mbetet i brishtë. Që nga hyrja në fuqi e tij, Izraeli është akuzuar për shkelje të përsëritura të marrëveshjes, të cilat kanë shkaktuar viktima në mesin e civilëve palestinezë dhe kanë penguar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Faza e dytë e armëpushimit pritet të përfshijë sfida të mëdha politike dhe të sigurisë, përfshirë administrimin e përditshëm të enklavës, rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar dhe përpjekjet për të shmangur rikthimin e përshkallëzimit ushtarak.
Gaza vijon të përballet me kushte të rënda humanitare pas më shumë se një viti luftë shkatërruese, me shumicën e popullsisë të zhvendosur dhe me nevoja urgjente për strehim, ushqim dhe shërbime bazë. /mesazhi
