Trump nis fushatën nga Florida: Nuk do t’iu zhgënjej

Presidenti i SHBA-së Donald Trump zyrtarisht e nisi fushatën në Florida për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 3 nëntor 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Tubimin e parë parazgjedhor për Shtëpinë e Bardhë, Trump e mbajti në Orlando. Pranë tij ishin zonja e parë Melania Trump, zëvendëspresidenti Mike Pence dhe gruaja e tij, Karen Pence.

Trump pjesën më të madhe të fjalimit të tij e shfrytëzoi për të promovuar gjithçka që kishte bërë gjatë dy viteve e gjysmë të mandatit të tij dhe u bëri thirrje simpatizantëve të Partisë Republikane dhe të gjithë amerikanëve që të votonin përsëri për të.

“Unë jam këtu për të filluar zyrtarisht fushatën parazgjedhore për mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju premtoj se kurrë nuk do t’iu zhgënjej”, tha Trump.

Disa nga temat kryesore të fushatës së Trumpit përsëri do të jenë lufta kundër migracionit të paligjshëm, ndërtimi i murit në kufi me Meksikën dhe hetimet rreth pretendimeve të përfshirjes ruse në zgjedhjet e mëparshme.

Kundërshtarët e Partisë Demokratike i quajti “majtistë radikalë”.

“Çdo votë për demokratët në zgjedhjet e ardhshme do të jetë votë për ngritje të socializmit radikal dhe shkatërrimit të ëndrrës amerikane”, tha Trump.

Ai akuzoi Partinë Demokratike se punon për të shkatërruar SHBA-të dhe tha se nuk do ta lejonte këtë.

Të pranishmëve gjithashtu iu drejtuan Sarah Sanders, zëdhënësja në largim e Shtëpisë së Bardhë, e cila në fjalimin emocional për Trumpin dhe bshkëpunimin me të, qau në skenë.

Trump është favoriti më i madh për kandidatin presidencial nga radhët e Partisë Republikane ndërsa shanset më të mëdha për oponent të tij nga radhët e Partisë Demokratike i ka ish zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden.