Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një marrëveshje të re tregtare me Indinë, e cila do të ulë tarifat reciproke amerikane nga 25 në 18 për qind, duke thënë se marrëveshja do të zgjerojë tregtinë dypalëshe dhe do të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
“Ishte një nder të flisja këtë mëngjes me kryeministrin e Indisë, (Narendra) Modi”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke e përshkruar atë si “një nga miqtë e mi më të mëdhenj dhe një udhëheqës i fuqishëm dhe i respektuar i vendit të tij”.
Duke thënë se kanë diskutuar një sërë çështjesh, nga tregtia deri te përfundimi i luftës në Ukrainë, Trump tha se Modi “pranoi të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të blejë shumë më tepër nga Shtetet e Bashkuara dhe, potencialisht, nga Venezuela”.
“Kjo do të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila po zhvillohet pikërisht tani, me mijëra njerëz që vdesin çdo javë”, shtoi ai.
Presidenti amerikan njoftoi uljen e tarifave reciproke dhe theksoi se “nga miqësia dhe respekti për kryeministrin Modi dhe, sipas kërkesës së tij, me efekt të menjëhershëm, ramë dakord për një marrëveshje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, sipas së cilës SHBA-ja do të aplikojë një tarifë reciproke të reduktuar, duke e ulur nga 25 për qind në 18 për qind”.
SHBA-ja fillimisht kishte vendosur një tarifë prej 25 për qind ndaj mallrave indiane dhe më pas e kishte dyfishuar në 50 për qind, për shkak të vazhdimit të importeve indiane të naftës ruse.
Trump shtoi se India do të “ecë përpara për të ulur tarifat dhe barrierat jotarifore ndaj Shteteve të Bashkuara, në zero”.
Ai tha se Modi është i përkushtuar të “blejë produkte amerikane”, përfshirë “mbi 500 miliardë dollarë” në energji, teknologji, bujqësi, qymyr dhe shumë produkte të tjera amerikane.
“Marrëdhënia jonë e jashtëzakonshme me Indinë do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen. Kryeministri Modi dhe unë jemi dy njerëz që i kryejmë punët, diçka që nuk mund të thuhet për shumicën”, tha ai.
Njoftimi vjen vetëm një javë pas nënshkrimit të marrëveshjes tregtare BE–Indi, e cilësuar si “nëna e të gjitha marrëveshjeve”.
