Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump thotë se Kanadaja ka të drejtë të bëjë marrëveshje tregtare me...

Trump thotë se Kanadaja ka të drejtë të bëjë marrëveshje tregtare me Kinën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Kanadaja ka të drejtë të ndjekë marrëveshje tregtare me Kinën, transmeton Anadolu.

I pyetur për marrëveshjet e fundit tregtare të nënshkruara nga kryeministri kanadez Mark Carney gjatë vizitës së tij katërditore në Kinë, Trump u shpreh: “Kjo është ajo që duhet të bëjnë”.

“Nëse mund të arrini një marrëveshje me Kinën, duhet ta bëni”, shtoi ai.

Vizita zyrtare e Carneyt në Kinë, e para nga një kryeministër kanadez pas tetë vitesh, sinjalizoi përpjekjet e Otavës për të ulur varësinë nga SHBA-ja si partneri kryesor tregtar.

Tensionet mes dy vendeve fqinje janë rritur gjatë mandatit të dytë të Trumpit. Ai ka rritur tarifat ndaj Kanadasë deri në 35 për qind dhe e ka quajtur Otavën “shteti i 51-të i SHBA-së”.

Carney ka deklaruar më herët se synon të dyfishojë eksportet jashtë SHBA-së gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Gjatë vizitës, Kanadaja publikoi një deklaratë të përbashkët me Kinën, duke njoftuar se do të lejojë deri në 49.000 automjete elektrike (EV) kineze të hyjnë në tregun kanadez, me një tarifë prej 6,1 për qind, sipas parimit të trajtimit më të favorshëm.

Nga ana tjetër, pritet që Kina të ulë tarifat për farën e kanolës kanadeze në një normë të kombinuar prej rreth 15 për qind deri në mars.

“Për të ndërtuar mbi këtë vrull, Kanadaja ka vendosur një synim ambicioz për të rritur eksportet drejt Kinës me 50 për qind deri në vitin 2030”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Exit mobile version