Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se ai “nuk mund të mbështetet te Danimarka” për të mbrojtur Grenlandën nga kërcënime të mundshme nga Rusia apo Kina, raporton Anadolu.
“Nuk mund të mbështetem te Danimarka që të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Ata po flisnin për këtë, vendosën edhe një slitë me qen atje. Muajin e kaluar shtuan një slitë të dytë me qen, por kjo nuk do ta zgjidhë problemin”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare, ndaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump. “Nëse ne nuk ndërhyjmë, Rusia do të ndërhyjë dhe Kina do të ndërhyjë. Dhe Danimarka nuk ka asgjë që mund të bëjë për këtë, ndërsa ne mund të bëjmë gjithçka”, shtoi ai.
Komentet erdhën pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes nënpresidentit të SHBA-së, JD Vance, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ministrit të Jashtëm të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, dhe ministres së Jashtme të Grenlandës, Vivian Motzfeldt.
“Ne nuk arritëm ta ndryshojmë qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti (Donald Trump) ka këtë dëshirë për të marrë nën kontroll Grenlandën”, tha ai. “Ne e bëmë ‘shumë, shumë të qartë’, se kjo nuk është në interes të mbretërisë (së Danimarkës)”, tha Rasmussen.
Megjithatë, Danimarka dhe SHBA-ja ranë dakord të formojnë një grup pune të nivelit të lartë, i cili do të trajtojë shqetësimet e sigurisë së SHBA-së duke respektuar vijat e kuqe të Kopenhagës, tha ai.
Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe burimeve të mëdha minerale, si dhe shqetësimeve të pretenduara për rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.
Danimarka dhe Grenlanda kanë hedhur poshtë propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.
