Turqia dërgon 33 tonë ndihma ushqimore në Afganistan

Turqia dërgoi 33 tonë ndihmë ushqimore në Afganistan, njoftoi ambasadori turk në Kabul, Cihad Erginay, duke theksuar se ndihmat e institucioneve turke për Afganistanin do të vazhdojnë edhe më tej, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmës ushqimore të Gjysmëhënës së Kuqe Turke në kryeqytetin afgan Kabul, ambasadori Erginay tha: “Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe institucionet e tjera turke do të vazhdojnë të ndihmojnë popullin afgan. Kjo është një detyrë njerëzore”.

Erginay deklaroi se edhe më herët i është dorëzuar ndihmë popullit afgan përmes Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe shpjegoi se ata kishin orientuar ndihmat e mëparshme për personat e zhvendosur.

Duke ftuar të gjitha vendet e botës për të marrë pjesë në përpjekjet e ndihmës humanitare në Afganistan si një detyrë njerëzore, Erginay tha:

“Ndihma e sotme është një fazë e re, ne kemi ofruar një sasi më të madhe të ndihmës ushqimore që arrin në gjithsej 33 tonë. Në këtë përpjekje ndihme, afërsisht 2 mijë pako do të shpërndahen për të plotësuar nevojat ushqimore të 16 mijë njerëzve për një muaj. Ne e siguruam këtë ndihmë përmes Gjysmëhënës së Kuqe Turke. Me mbështetjen e Gjysmëhënës së Kuqe Afgane, do të realizohet shpërndarja e kësaj ndihme. Dimri është afruar. Ne sërish do të dorëzojmë ndihma për dimër dhe ndihma ushqimore”.

– “Turqia shtriu dorën e ndihmës”

Ambasadori turk theksoi se populli afgan ka vuajtur për shumë vite jo vetëm për shkak të periudhës së tranzicionit në administratën shtetërore, por edhe për shkak të fatkeqësive natyrore të tilla si thatësira dhe koronavirusi.

“Turqia shtriu dorën e ndihmës për të eleminuar këtë vuajtje. Turqia ofron ndihmën e saj jo vetëm për institucionet zyrtare si Gjysmëhëna e Kuqe, por edhe për organizatat joqeveritare në gjithë vendin. Gjëja e rëndësishme është të lehtësohen vuajtjet e popullit afgan në këtë kohë të vështirë”, tha ai.

Ambasadori Erginay falënderoi Gjysmëhënën e Kuqe Afgane për bashkëpunimin në përpjekjet e ndihmës humanitare.

Nga ana tjetër, kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Afgane Sibghatullah Qureshi falënderoi Gjysmëhënën e Kuqe Turke për ndihmën.

“Afganistani sapo ka dalë nga lufta. Kriza humanitare po rritet. Numri i njerëzve që janë dëmtuar për shkak të thatësirës dhe problemeve ekonomike në gjithë vendin është midis 19 dhe 25 milionë”, u shpreh Qureshi.

Mahfuzullah Yoldaş, përgjegjës i Gjysmëhënës së Kuqe Turke për Afganistanin, tha për AA se Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka kryer aktivitete ndihme në Afganistan edhe në vitet e mëparshme dhe se kjo agjenci ka zyrën e saj zyrtare në vend që nga viti 2018.

Yoldaş deklaroi se do të vazhdojnë të ndihmojnë fuqishëm njerëzit në nevojë në Afganistan.

“Ne vazhdojmë aktivitetet tona në çdo rajon të vendit në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Afgane. Do t’i shpërndajmë këto ndihma në Jalalabad dhe Ghazni, sikurse edhe në Kabul”, njoftoi ai.

Yoldaş vuri në dukje se me afrimin e dimrit, në agjendë kanë edhe aktivitete të tjera për dhurmin e veshjeve të dimrit dhe pakove ushqimore. /aa