Turqia i bën thirrje Izraelit që të ndalojë vendbanimet e paligjshme në Kudsin Lindor

Turqia i bëri thirrje Izraelit të braktisë politikën e saj për ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme në Kudsin Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e Ministrit të Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, u bënë në një konferencë për media me homologun e tij palestinez Riyad al-Maliki në Ankara.

Zyrtari turk tha se Izraeli vazhdoi “politikën e tij të okupimit” në Kudsin Lindor dhe në Bregun Perëndimore pa ndërprerje dhe se po merrte hapa të rinj për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme ose transferimin e shtëpive palestineze te kolonët e paligjshëm, gjë që mund të hapë rrugën për destabilizim të mëtejshëm në të ardhmen.

Kryediplomati turk Çavuşoğlu gjithashtu tha se vendi i tij është i gatshëm të ofrojë çdo mbështetje të nevojshme për zgjedhjet që do të mbahen në Palestinë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Duke theksuar se Turqia nuk do të braktisë vizionin e saj për një zgjidhje me dy shtete, Çavuşoğlu tha se zgjedhjet që pritet të mbahen në Palestinë janë të parat në 15 vitet e fundit, por aktet izraelite e penguan këtë.

Ai gjithashtu theksoi se “ne nuk kemi dyshim se zgjedhjet që do të mbahen në Palestinë do të zhvillohen në një mënyrë demokratike dhe transparente ashtu si ishte në vitin 2006”, duke shtuar se vëzhguesit ndërkombëtarë e kishin konfirmuar këtë në atë kohë.

Në lidhje me përmirësimin e lidhjeve të Turqisë me Egjiptin, ai tha se takimi i së enjtes me Kajron zyrtare midis zv/ministrave të jashtëm u zhvillua në një “atmosferë pozitive” dhe se ai më vonë mund të zhvillonte një takim me homologun e tij egjiptian.

Maliki, nga ana e tij, tha se Turqia i tejkalon të gjithë të tjerët në mbështetjen e saj dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Izraelit për të lejuar që zgjedhjet palestineze të mbahen në Kudsin Lindor.

Kryediplomati palestinez arriti sot në Turqi, ndërsa sipas Ministrisë së Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës do të diskutohen mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet e fundit në Palestinë dhe Kuds.

Javën e kaluar, presidenti palestinez Mahmoud Abbas njoftoi shtyrjen e zgjedhjeve derisa autoritetet izraelite të lejojnë mbajtjen e votimeve në Kudsin Lindor.

Zgjedhjet parlamentare pritej të mbahen më 22 maj, zgjedhjet presidenciale më 31 korrik, ndërsa zgjedhjet e këshillit kombëtar palestinez ishin të parapara të mbaheshin më 31 gusht. /aa