Turqia reagon ndaj vendimit të BE-së për zgjerimin: Hiq dorë nga verbëria strategjike

Ministria e Punëve të Jashtme theksoi përmes një komunikate me shkrim se në seksionin e vendimeve të zgjerimit të Bashkimit Evropian në lidhje me Turqinë injorohet fakti që Turqia po zhvillon negociata për anëtarësim në Union, si dhe mohohet e madje keqinterpretohet rëndësia e Turqisë në aspektin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit si të vetë BE-së ashtu edhe të rajonit.

“Këto vendime, të cilat janë një shembull i ri i instrumentalizimit të Unionit për interesat mendjengushtë dhe egoiste të disa shteteve anëtare, nuk kontribuojnë në marrëdhëniet Turqi-BE dhe nuk u shërbejnë interesave të përgjithshme të Evropës, as nuk na afrojnë me qëllimin për të krijuar një agjendë pozitive dhe konstruktive. Ne shikojmë me habi se BE-ja nuk vepron si një komunitet parimesh e vlerash gjatë marrjes së këtyre vendimeve, por si një grup interesi i bazuar në pazare”, thuhet në komunikatë.

Ajo vë në pah se pjesët e vendimeve në fjalë për çështjen e Mesdheut Lindor dhe Qipros, sikurse dhe më parë, janë “të shkëputura nga realiteti, të njëanshme, të paqëndrueshme dhe pasqyrë e qëndrimit maksimalist të dyshes grekoqipriote-greke”.

“Në këto vendime, turqit qipriotë injorohen edhe një tjetër herë, si dhe nuk merren parasysh aktivitetet e njëanshme të Greqisë dhe Administratës Greke të Qipros së Jugut, të cilat përshkallëzojnë tensionin në Mesdheun Lindor dhe janë gjallëruar përsëri kohët e fundit. Për sa kohë që ky qëndrim i BE-së vazhdon, është e pamundur që ajo të japë një kontribut konstruktiv për çështjen e Qipros. Me këtë rast, ne e ftojmë sërish BE-në të shohë realitetet në Ishull dhe t’i japë fund politikës së saj të injorimit të turqve qipriotë dhe të drejtave të tyre të fituara”, vijon MPJ turke.

Pasi tërheq vëmendjen se Turqia ka vullnet për t’i zhvilluar marrëdhëniet e saj me BE-në mbi bazën e perspektivës së anëtarësimit, përmes një agjende konkrete e pozitive, komunikata në fjalë potencon se është e qartë që “këto politika ideologjike dhe të shkëputura nga realiteti, të krijuara në kuadrin e solidarësisë mes anëtarëve” nuk do të jenë të dobishëm për marrëdhëniet Turqi-BE.

Në fund të komunikatës, MPJ turke i bën thirrje Bashkimit Evropian që të heqë dorë nga kjo verbëri strategjike e tij. /trt