Turqia ka kërkuar mbështetjen globale për projekt-rezolutën e Palestinës që iu dorëzua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke kërkuar që Izraelit t’i japë fund pranisë së tij në territoret e pushtuara palestineze brenda 12 muajve, raporton Anadolu.
“Si një bashkë-sponsor i rezolutës së paraqitur nga Palestina dhe si një përkrahëse e përkushtuar për procedurat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Turqia e konsideron këtë seancë si në kohë ashtu edhe thelbësore”, tha i dërguari turk në OKB-së, Ahmet Yıldız, gjatë një seance urgjente të OKB-së për pasojat ligjore të aktiviteteve të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze.
“Rezoluta nuk është thjesht procedurale, ajo është emblematike e një lëvizjeje më të gjerë brenda komunitetit ndërkombëtar për të korrigjuar padrejtësitë e vjetra”, tha Yıldız për rëndësinë e rezolutës.
Duke theksuar “rëndësinë historike” të rezolutës, Yildiz tha se, “Ajo jo vetëm që përbën rezolutën e parë të paraqitur nga Palestina në Asamblenë e Përgjithshme, por gjithashtu simbolizon një hap thelbësor në ndjekjen e drejtësisë nga populli palestinez”.
Ai gjithashtu tha se projekt-rezoluta përputhet me gjetjet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Kartën e OKB-së, duke u kërkuar vendeve anëtare të veprojnë në përputhje me këto parime.
Yıldız theksoi tre aspekte kryesore të projekt-rezolutës, forcimin e parimeve të Kartës së OKB-së, sinjalizimin e intolerancës për shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe adresimin e krizës humanitare në përkeqësim në Gaza.
I dërguari turk në OKB kritikoi mungesën e veprimit për rezolutat e mëparshme të OKB-së.
“Turqia ka qenë një pjesëmarrëse aktive në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke kontribuar si në formë të shkruar ashtu edhe në formë verbale në opinionin këshillues”, theksoi ai.
Ai u zotua për përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për “të siguruar një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, si dhe dërgimin e papenguar të ndihmave humanitare në Gaza, punën drejt njohjes së Shtetit të Palestinës dhe një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete”.
Yildiz gjithashtu inkurajoi komunitetin ndërkombëtar që “të demonstrojë se është i përgatitur të zbatojë standardet që ka vendosur dhe se drejtësia, edhe kur vonohet, përfundimisht do të mbizotërojë”.