Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Udhëheqësi i Hamasit, Mashaal: Hamasi do të mbajë armët për të parandaluar...

Udhëheqësi i Hamasit, Mashaal: Hamasi do të mbajë armët për të parandaluar ripërtëritjen e luftës izraelite

Udhëheqësi i lartë i Hamasit, Khaled Meshaal tha se lëvizja do t’i mbajë armët e saj nën një kornizë që përfshin armëpushim afatgjatë dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabiliteti përgjatë kufirit të Gazës për të parandaluar një luftë të re izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet për çarmatim si “të papranueshme” për palestinezët, transmeton Anadolu.

Në një intervistë të martën për kanalin televiziv Al Jazeera, Meshaal tha se afrimi i një faze të dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza ka intensifikuar presionin që synon ta detyrojë grupin të heqë dorë nga armët e tij një kërkesë që ai ia atribuoi kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe të tjerëve.

“Kjo është e refuzuar në kulturën e popullit tonë”, tha ai.

Meshaal tha se Hamasi është i përgatitur të pranojë marrëveshje që sigurojnë qetësi dhe parandalojnë Izraelin të rifillojë luftën e tij në Gaza, përfshirë një skenar në të cilin armët e rezistencës ruhen, por nuk shfaqen ose përdoren. “Ne duam garanci se lufta e pushtimit izraelit në Gaza nuk do të kthehet. Kjo armë mund të ruhet pa u përdorur ose ekspozuar”, tha ai.

Meshaal tha se Hamasi ka propozuar armëpushim afatgjatë që do të shërbente si “garanci e vërtetë” dhe se lëvizja nuk ka kundërshtim për vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi të ngjashme me Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) për të ndarë Gazën nga forcat izraelite. “Ne nuk kemi problem me një forcë ndërkombëtare stabiliteti në kufij”, shtoi ai.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 18 nëntor miratoi një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja që autorizon krijimin e një force të përkohshme ndërkombëtare në Gaza deri në fund të vitit 2027 për të mbështetur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për të ruajtur stabilitetin.

Katari, Egjipti, Turqia dhe shtete të tjera mund të veprojnë si garantues për të siguruar që Gaza dhe rezistenca të përmbahen nga përshkallëzimi ushtarak, duke theksuar se çështja nuk është në anën palestineze, shtoi udhëheqësi palestinez. “Problemi qëndron në përshkallëzimin, vrasjet dhe dhunën izraelite kundër popullit të Gazës”, tha ai.

Meshaal tha se Gaza, duke dalë nga “rrënojat dhe vuajtjet e ashpra”, e ka përmbushur detyrën e saj dhe faza tjetër e enklavës duhet të përqendrohet në rimëkëmbje dhe rindërtim. Ai hodhi poshtë çdo propozim për çarmatim, duke thënë se ekzistojnë alternativa praktike që parandalojnë përshkallëzimin pa i zhveshur palestinezët nga mjetet e tyre të mbrojtjes.

“Çarmatosja e palestinezëve do të thotë heqja e shpirtit të tyre. Përvoja jonë me pushtimin (izraelit) është se kur hiqet arma palestineze, fillojnë masakrat – nga Sabra dhe Shatila deri te masakrat e kryera gjatë gjithë historisë palestineze”, tha Meshaal duke iu referuar vrasjeve të vitit 1982 në Bejrut.

Netanyahu tha të dielën se do të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj për të diskutuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Rripit të Gazës dhe krijimin e mekanizmit të ri qeverisës pa Hamasin.

Exit mobile version