Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) paralajmëroi se rreziqet nga sëmundjet në Rripin e Gazës kanë arritur nivele rekord, teksa fëmijët vazhdojnë të humbasin vaksinat thelbësore për shkak të më shumë se dy viteve luftë, kushteve të ashpra të dimrit dhe kolapsit të sistemit shëndetësor, transmeton Anadolu.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha se fëmijët në Gaza janë privuar vazhdimisht nga imunizimet rutinë të nevojshme për t’u mbrojtur nga sëmundjet e parandalueshme që nga fillimi i konfliktit.
“Në mes të më shumë se dy viteve luftë në Gaza, fëmijët kanë humbur vazhdimisht vaksinat që u nevojiten për të qëndruar të sigurt”, tha Lazzarini në një deklaratë.
Ai theksoi se moti i ashpër i dimrit, përfshirë temperaturat e ulëta, reshjet e dendura dhe përmbytjet, po i përkeqëson më tej rreziqet shëndetësore në enklavë.
“Këto kushte i shtohen rreziqeve tashmë rekord nga sëmundjet, të shkaktuara nga shërbimet e dobëta të ujit dhe kanalizimeve, strehimet e mbipopulluara dhe kolapsi i sistemit mjekësor”, shtoi ai.
Lazzarini tha se ekipet e UNRWA-s, në koordinim me UNICEF-in, Organizatën Botërore të Shëndetësisë(OBSH) dhe partnerët lokalë, kanë nisur të dielën raundin e dytë të fushatës së vaksinimit kompensues, që synon fëmijët nën moshën tre vjeç.
“Vaksinimi në kushte të tilla është më i rëndësishëm se kurrë”, tha ai, duke theksuar se UNRWA vazhdon të punojë për të shpëtuar jetë në Gaza.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 71.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171.000 të tjerë në një ofensivë brutale që nga tetori i vitit 2023, duke e lënë Rripin e Gazës në gërmadha.
Pavarësisht armëpushimit që nisi më 10 tetor, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet, duke vrarë 465 palestinezë dhe duke plagosur 1.287 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
