Ushtria izraelite mbrëmë vonë pretendoi se 6 nga pengjet e mbajtura në Gaza u vranë në muajin shkurt nga rrëmbyesit e tyre gjatë një sulmi ajror izraelit në një tunel në Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas një hetimi të ushtrisë izraelite, pretendohet se “plagët me armë zjarri” në trupat e pengjeve që u gjetën nga Gaza në gusht tregojnë se ata me gjasë ishin qëlluar dhe vrarë nga rrëmbyesit e tyre.
Teksa Hamasi nuk ka komentuar ende deklaratën izraelite, grupi tha të hënën se 33 nga pengjet izraelite të mbajtura në Gaza u vranë nga sulmet ajrore izraelite në të gjithë Gazën.
Familjet e robërve izraelitë u kanë kërkuar autoriteteve izraelite që të arrijnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve me grupet palestineze.
Izraeli beson se 101 pengje izraelite akoma janë në Gaza, teksa sipas vlerësimeve të gupeve që merren me të burgosurit palestinezë, vlerësohet se rreth 10 mijë palestinezë ndodhen në burgjet izraelite.
Izraeli nisi një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga Hamasi në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 44.530 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 105.500 të tjerë.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.