Ushtria izraelite shemb shtëpinë e familjes së palestinezit të vrarë

Ushtria izraelite ka shembur shtëpinë e familjes së një palestinezi që kreu një sulm me makinë në korrik të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë një ushtar izraelit dhe u plagosën tre të tjerë.

Pamjet nga ar-Ram, në Jerusalem, tregojnë re pluhuri që ngrihen në ajër gjatë shembjes së objektit. Shtëpia i përkiste familjes së Muhammad Shihab, i cili u vra në vendin e ngjarjes pas sulmit.

Para shembjes, ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e banorëve nga shtëpitë përreth.

Shembja e shtëpive të palestinezëve të dyshuar për sulme ndaj izraelitëve është një praktikë e vjetër e ushtrisë izraelite. Mijëra palestinezë kanë humbur shtëpitë e tyre si rezultat i kësaj politike, që sipas organizatave për të drejtat e njeriut përbën “ndëshkim kolektiv” dhe mund të përbëjë krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.