Ushtria izraelite vret një të ri palestinez në Bregun Perëndimor

Një i ri palestinez ka humbur jetën në qytetin Nablus në Bregun Perëndimor të pushtuar, si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se Gays Refik (16) humbi jetën pasi pësoi plagë të rëndë në kokë.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se 100 persona u plagosën në përleshjet mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve në Nablus. Duke bërë të ditur se 2 persona u plagosën nga plumbat e vërtetë dhe 19 persona u plagosën nga plumbat plastikë, Gjysmëhëna e Kuqe Palestine tha se të tjerët janë prekur nga gazi lotsjellës i hedhur nga ushtarët izraelitë.

Sipas informacioneve të dhëna nga dëshmitarët okularë për AA, thuhet se ndodhi një incident mes ushtarëve izraelitë që bastisën qytetin e Nablusit për të siguruar hyrjen e sigurt të kolonëve të paligjshëm hebrenj në tyrben e Jusufit dhe palestinezëve që donin ta parandalonin këtë.

“Tyrbeja e Jusufit”

Hebrenjtë, të cilët e konsiderojnë “Tyrben e Jusufit” në lindje të Nablusit si një vend të shenjtë, besojnë se eshtrat e Profetit Jusuf u sollën nga Egjipti dhe u varrosën aty.

Historianët palestinezë, nga ana tjetër, pohojnë se tyrbeja, e cila ka një histori disa shekullore, i përket një dijetari musliman të quajtur Jusuf Duvejkat dhe jo i profetit Jusuf.

Njoftohet se 14 izraelitë humbën jetën në katër sulme në Izrael në tri javët e fundit. Pas bastisjeve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, dhuna në rajon u rrit dhe të paktën 20 palestinezë humbën jetën. /aa