Ushtria siriane ka shkatërruar një depo të madhe municionesh që i përkiste organizatës terroriste YPG/SDF në lagjen Sheikh Maqsoud të Halepit, transmeton Anadolu.
Shefi për media dhe komunikim në Ministrinë e Mbrojtjes, Assem Ghalion, për televizionin Al-Ikhbariya, tha se ushtria shkatërroi “vendndodhjen nr. 12” në lagjen Sheikh Maqsoud.
Ghalion tha se vendi i shënjestruar ishte një depo e madhe municionesh e përdorur nga elementët e SDF-së.
Ai tha se grupi terrorist YPG/SDF vazhdoi me vënien në shënjestër të civilëve në Halep, duke rezultuar në vdekje dhe plagosje.
Më herët, ushtria siriane njoftoi hapjen e një korridori humanitar për t’u mundësuar civilëve të largohen nga lagjja Sheikh Maqsoud, si dhe u bëri thirrje anëtarëve të grupit terrorist të dorëzojnë armët.
Komanda e Operacioneve të Ushtrisë për agjencinë siriane të lajmeve SANA tha se korridori do të jetë i hapur nga ora 16:00 deri në orën 18:00 me kohën lokale.
Pas kësaj, ushtria njoftoi se lagjja Sheikh Maqsoud është përcaktuar si zonë ushtarake e mbyllur dhe ka vendosur një orë policore në zonë duke filluar nga ora 18:30 me kohën lokale deri në një njoftim të mëtejshëm.
Këto masa ushtarake vijnë pas përfundimit të një armëpushimi të përkohshëm sot, pasi SDF-ja refuzon të tërhiqet nga lagjja.
