Vdes edhe anëtari i pestë i familjes Ramadani që u aksidentua në Koshare të Ferizajt

Ka ndërruar jetë edhe anëtari i pestë i familjes Ramadani që u aksidentua ditë më parë në Koshare të Ferizajt.

E ndjera 32 vjeçare ishte duke u trajtuar në QKUK, por që nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka pranuar informatën nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, se sonte, rreth orës 20:00,  personi I.R ( F/SH/K), e moshës 32 vjeçare, ka ndërruar jetë, si pasojë e lëndimeve të rënda, që kishte pësuar nga aksidenti i komunikacionit i datës 06.06.2021, që ka ndodhur në fshatin Koshare të Ferizajt, ku u aksidentuan dy automjete civile të udhëtarëve dhe humbën jetën 4 persona”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës..

Me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt,

trupi i pajetë, dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Në aksidentin e 6 qershorit mbetën të vdekur Naim Ramadani 39-vjeçar – drejtues i automjetit, Xhevrije Ramadani 60-vjeçare (nëna e Naimit), Sabrije Ramadani 32-vjeçare (gruaja e Naimit) dhe Y.R. 12-vjeçar– djali i Naimit).