Vdes gruaja në Prizren, u godit nga një veturë me targa të Kroacisë

Një aksident me fatalitet ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Prizren.

Në ora 12:00 të ditës së sotme një grua ka vdekur si pasojë e goditjes së një veture në rrugën ‘Ismet Kryeziu’. Aksidenti në fjalë është konfirmuar edhe nga Zyrtari për Informim i Policisë së Kosovës në Prizren, Vesel Gashi.

Gashi për Indeksonline ka thënë se gruaja e cila humbi jetën si pasojë e goditjes ishte 78 vjeçare.

“Një vozitës i moshës 25 vjeçare me inicialet F.T me veturën e tij ka goditur një grua të moshës 78 vjeçare me inicialet B.M. Pas aksidentit viktima është dërguar në QKUK, ku edhe ka ndërruar jetë”, ka thënë Gashi.

I dyshuari në fjalë është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa siç mëson Indeksonline vetura e cila po vozitej nga 25 vjeçari ishte me tabela të Kroacisë.

Duhet përkujtuar që përgjatë këtij viti numri i aksidenteve në përgjithësi ka qenë shumë i lartë duke mos harruar edhe aksidentet me fatalitet.