Vendet arabe dënuan vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar vendbanimet në Lartësitë e pushtuara të Golanit në Siri, transmeton Anadolu.
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dënuan vendimin e qeverisë së Tel Avivit për të zgjeruar vendbanimet në Lartësitë e Golanit, duke theksuar se kjo do të çonte në tensione dhe përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të EBA-së thuhet se ky vendim nënkupton pushtimin e përhershëm dhe shkeljen e ligjit dhe ligjeve ndërkombëtare.
Në deklaratën e saj, Ministria tha se “Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmojnë edhe një herë rëndësinë që i kushtojnë unitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Sirisë”.
Ministria tha se “Është rreptësisht kundër praktikave dhe aktiviteteve që synojnë të ndryshojnë statusin ligjor të Lartësive të pushtuara të Golanit dhe që kërcënojnë sigurinë, sovranitetin dhe stabilitetin e Sirisë”.
– Arabia Saudite dhe Katari reaguan gjithashtu ndaj vendimit
Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, edhe Arabia Saudite përmes një deklarate dënoi këtë vendim të qeverisë izraelite. Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite e përshkroi këtë hap të Izraelit si “minim të përpjekjeve për të rifituar sigurinë e Sirisë” dhe shtoi se Lartësitë e Golanit janë territor arab që i përket Sirisë.
Katari dënoi gjithashtu vendimin e qeverisë së Benjamin Netanyahut për të zgjeruar vendbanimet në Lartësitë e Golanit duke e quajtur lëvizjen e Izraelit si një sulm të ri në territorin sirian.
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përmbushë përgjegjësitë e veta ligjore dhe morale për të ndaluar sulmet e Izraelit në territorin sirian dhe për t’iu përmbajtur vendimeve ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme e Irakut dënoi gjithashtu vendimin e Izraelit për të zgjeruar vendbanimet në Lartësitë e Golanit.
Në deklaratë thuhet se vendimi në fjalë ishte shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe vendimeve të legjitimitetit. “Iraku konfirmon qëndrimin e tij të vendosur dhe mbështetës ndaj të drejtave të Sirisë për të rikthyer sovranitetin e plotë mbi territorin e saj”, theksohet më tej në deklaratë.
