Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vendet e BE-së paraqesin plane mbrojtëse, shumica përfshijnë mbështetje për Ukrainën

Vendet e BE-së paraqesin plane mbrojtëse, shumica përfshijnë mbështetje për Ukrainën

Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius tha se të 19 shtetet anëtare kanë paraqitur planet e tyre të investimeve kombëtare në mbrojtje në kuadër të iniciativës së Veprimit të Sigurisë për Evropën (SAFE), që synon forcimin e gatishmërisë mbrojtëse dhe kapacitetit industrial të bllokut, transmeton Anadolu.

Kubilius në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X tha se 15 shtete anëtare përfshinë mbështetje për Ukrainën në planet e tyre. “Më shumë se sa pritej! Dhe flasim për miliarda, jo për miliona”, shtoi ai. Sipas tij, korniza SAFE është “jetike” për rritjen e gatishmërisë mbrojtëse të BE-së dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së industrisë së saj mbrojtëse.

Komisioni Evropian njoftoi në shtator ndarjen e një fondi mbrojtës prej 150 miliardë eurosh në kuadër të programit të saj të ri SAFE, i cili është hartuar për të forcuar gatishmërinë mbrojtëse në të gjithë bllokun. Sipas komisionit, financimi do të shpërndahet midis 19 shteteve anëtare që kërkuan mbështetje, bazuar në një sistem para-ndarjeje.

Veçmas, zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Thomas Regnier, përshkroi hapat e ardhshëm në proces, duke theksuar se çdo plan do t’i nënshtrohet së pari një vlerësimi të detajuar nga komisioni. “Pasi Këshilli të miratojë vlerësimin tonë, atëherë ne mund të shpërndajmë shumat fillestare dhe projektet mund të fillojnë”, tha Regnier.

Ai nënvizoi se komisioni ka krijuar sistem monitorimi për të siguruar që fondet e caktuara për Ukrainën të dorëzohen në mënyrë efektive. “Kjo do të bëhet përmes punës monitoruese”, tha ai duke thënë se shteteve anëtare do t’u kërkohet të paraqesin raporte vlerësimi dhe avancimi në komision.

“Këto mund të shoqërohen me kërkesën për pagesë. Pra, sigurisht, shtetet anëtare do të na kontaktojnë. Ata do të na tregojnë se si këto projekte po përparojnë konkretisht në terren dhe varësisht nga kjo, ne mund të shpërndajmë shuma të mëtejshme”, shtoi Regnier.

Exit mobile version