Anëtarët evropianë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deklaruan sot se janë regjistruar më shumë se 260 sulme të paligjshme nga kolonë izraelitë kundër palestinezëve brenda një muaji, duke e dënuar atë që e cilësuan si nivele rekord të dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, raporton Anadolu.
Duke folur në emër të E5-shes – Danimarkës, Francës, Greqisë, Sllovenisë dhe Mbretërisë së Bashkuar – ambasadori britanik James Kariuki tha se Këshilli do të mblidhet për të diskutuar Rezolutën 2334, e cila “dënon në mënyrë të qartë aktivitetet e kolonizimit dhe i bën thirrje Izraelit të respektojë detyrimet e tij sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Ai paralajmëroi se “qeveria e Izraelit vazhdon të zbatojë politika që bien ndesh me këtë rezolutë dhe që kontribuojnë në rritjen e paqëndrueshmërisë në Bregun Perëndimor”, duke shtuar se kjo “rrezikon të minojë zbatimin e planit me 20 pika për Gazën dhe perspektivat për një zgjidhje me dy shtete, si dhe paqen dhe sigurinë afatgjatë në gjithë rajonin”.
“Ne dënojmë fuqishëm rritjen e paprecedentë të dhunës së kolonëve kundër civilëve palestinezë të të gjitha besimeve dhe përkatësive në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, me vitin 2025 si më të dhunshmin i regjistruar ndonjëherë”, tha Kariuki.
Duke iu referuar të dhënave nga Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), ai theksoi se “vetëm në muajin tetor janë regjistruar mbi 260 sulme kundër palestinezëve dhe pronës së tyre. Kjo është thellësisht shqetësuese”.
“Këto sulme terrorizojnë civilët, pengojnë përpjekjet për paqe dhe kërcënojnë edhe vetë sigurinë e Izraelit”, tha ai, duke i bërë thirrje Izraelit “të respektojë detyrimet e tij sipas së drejtës ndërkombëtare dhe të mbrojë popullsinë palestineze të territoreve të pushtuara”.
E5-shja përsëriti gjithashtu “thirrjen për ruajtjen dhe respektimin e status quo-së së vendeve të shenjta të Kudsit”.
