Një grup kryesor venezuelan për të drejtat e njeriut thotë se të paktën 80 të burgosur politikë janë liruar pas presionit të SHBA-së, transmeton “BBC”.
Alfredo Romero, kreu i Foro Penal, tha se grupi po verifikonte identitetet e atyre që janë liruar nga burgjet në të gjithë vendin të shtunën – dhe se priten edhe lirime të tjera.
Kjo është vala më e fundit e lirimeve që nga momenti kur SHBA-ja arrestoi presidentin venezuelan Nicolas Maduro në një operacion dhe e çoi atë në New York për t’u gjykuar nën akuza për trafikim të drogës.
Të premten, ushtruesja e detyrës së presidentes së Venezuelës, Delcy Rodriguez, tha se më shumë se 600 të burgosur ishin liruar – por Foro Penal thotë se kjo shifër është e fryrë.
Romero njoftoi lirimet në rrjetet sociale. Ai postoi gjithashtu një imazh të kolegut të Foro Penal, Kennedy Tejeda, për të cilin tha se ishte mbajtur në burgun Tocoron, në perëndim të kryeqytetit Karakas, që nga gushti i vitit 2024.
Në një postim në X, avokati i Foro Penal, Gonzalo Himiob, tha se numri i lirimeve mund të rritet mbi 80 “ndërsa vazhdojmë me verifikimin”.
Më herët, Foro Penal kishte thënë se shumë prej atyre që janë liruar javët e fundit nuk i kanë pasur akuzat e hequra.
Kjo i ka lënë ata në një “limbo” ligjore dhe u është ndaluar të flasin publikisht, tha grupi.
Para zhvillimeve të kësaj fundjave, grupi kishte konfirmuar lirimin e vetëm 156 të burgosurve politikë që nga 8 janari.
Disa figura të opozitës vendase dhe të paktën pesë shtetas spanjollë janë ndër ata që janë konfirmuar se janë liruar deri tani.
Veçmas, Rodriguez tha se pritej të kishte një telefonatë të hënën me komisionerin e lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, për t’i kërkuar OKB-së të verifikojë listat e atyre që janë liruar deri më tani.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët kanë akuzuar prej kohësh qeverinë se i përdorë ndalimet për të heshtur kritikët. Qeveria venezuelane ka mohuar se mban të burgosur politikë, duke këmbëngulur se ata janë arrestuar për veprimtari kriminale.
Shumë prej tyre u ndaluan pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, kur Maduro shpalli fitoren pavarësisht se kundërshtarët dhe shumë vende e kundërshtuan rezultatin.
