Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vengu takon homologun hungarez: Shqipëria dhe Hungaria kanë ndërtuar një partneritet shumë...

Vengu takon homologun hungarez: Shqipëria dhe Hungaria kanë ndërtuar një partneritet shumë të ngushtë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu ka deklaruar se Shqipëria dhe Hungaria kanë ndërtuar një partneritet shumë të ngushtë, transmeton Anadolu.

Vengu ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Hungari, ndërkohë është takuar me homologun e tij hungarez, Kristof Szalay-Bobrovniczky, me të cilin kanë mbajtur dhe një konferencë të përbashkët për mediat.

– “Shqipëria dhe Hungaria kanë ndërtuar një partneritet shumë të ngushtë në të gjitha nivelet e qeverisjes”

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit dypalësh në Budapest, “u riafirmua partneriteti i ngushtë” mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe integrimit evropian.

Në fjalën e tij, ministri Vengu ka theksuar se Shqipëria dhe Hungaria kanë ndërtuar një partneritet shumë të ngushtë në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Vengu ka deklaruar se Shqipëria është një vend që ka mikpritur investime të rëndësishme dhe kompani të ekselencës hungareze dhe sipas tij ky element tashmë është edhe një shtyllë e bashkëpunimit që synojnë ta zhvillojmë në rrafshin ushtarak.

“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake. Ministri Vengu vlerësoi zhvillimin e industrisë hungareze të mbrojtjes dhe theksoi synimin për ndërthurjen e zinxhirëve të furnizimit ushtarak, me preferencë për vendet aleate. Në këtë kuadër, palët nënshkruan dy marrëveshje: një për intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje në nivel civil dhe një tjetër mes institucioneve përgjegjëse për inovacionin në mbrojtje, me synimin për të përfituar më shumë financime nga programet evropiane”, thekson njoftimi.

Gjithashtu thuhet se ministri Vengu theksoi rëndësinë strategjike të Evropës Juglindore për sigurinë e kontinentit, duke deklaruar se “Shqipëria nuk është periferi e Evropës, por pjesë e qendrës nervore të saj”. Ndër të tjera theksohet se Vengu kujtoi angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Hungarisë në misionet e KFOR-it në Kosovë dhe atë të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë.

– “Hungaria e vlerëson Shqipërinë për rolin në stabilitetin e rajonit”

Sipas njoftimit, ministri hungarez Kristof Szalay-Bobrovniczky u shpreh i kënaqur për zhvillimin e takimit dypalësh në Budapest.

“Ministri hungarez shprehu gjithashtu një vlerësim të veçantë për rrugën e gjatë dhe të qëndrueshme që Shqipëria ka ndjekur drejt integrimit evropian, duke nënvizuar se Hungaria vazhdon ta mbështesë në kuptimin e plotë të fjalës anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Ministri hungarez i Mbrojtjes ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ka një rol kyç historik, ekonomik dhe social, duke shtuar se Hungaria e vlerëson Shqipërinë për rolin në stabilitetin e rajonit.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes e Hungarisë kanë nënshkruar edhe dy marrëveshje që “forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe inovacionit”.

Exit mobile version