Reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar vërshime në Komunën e Drenasit, duke e vështirësuar qarkullimin dhe duke bllokuar disa akse rrugore kryesore.
Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, aktualisht janë të pakalueshme këto rrugë:
Drenas – Guri i Plakës,
Drenas – Kroi i Mbretit,
Shtrubullovë – Korroticë e Ulët,
si dhe rruga nga Komorani 1 në drejtim të Komoranit 3.
Po ashtu, qarkullimi në rrugën nga Komorani për Skenderaj, në drejtim të Drenasit, po zhvillohet me vështirësi, ndërsa janë krijuar kolona të gjata automjetesh.
Kryetari Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë shiritat e ndalimit të kalimit dhe të tregojnë solidaritet në këtë situatë.
Ai ka apeluar gjithashtu që qytetarët, nëse kanë mundësi, të ndihmojnë për tejkalimin e gjendjes.
Ekipet emergjente ndodhen në terren dhe, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), po punojnë intensivisht për normalizimin e situatës dhe lehtësimin e qarkullimit.
